Reagim Publik ndaj Sulmeve dhe Fushatës Diskredituese ndaj Nismës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR)

Reagimi publik i Drejtorisë së Arsimit të Komunës së Prishtinës ndaj aktivitetit të mbajtur në Shkollën e Mesme “Xhevdet Doda” nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR), i ndjekur nga reagime të tjera publike, përbën një përpjekje për ta zhvendosur frikën dhe përgjegjësinë institucionale mbi një organizatë rinore. Duke paralajmëruar masa dhe duke e veçuar publikisht YIHR-në si problem, po ndërtohet një narrativë e rreme e shkeljes procedurale dhe propagandës, aty ku realisht nuk ka ndodhur as njëra, as tjetra.

Ky ishte një aktivitet i informimit qytetar për Gjykatën Speciale si një institucion jo i zakonshëm i themeluar nga vet Kuvendi i Kosovës, i mbajtur me miratimin e shkollës dhe i bazuar në informacione publike. YIHR, ashtu si shumë organizata të tjera, mbajnë prej vitesh aktivitete të ngjashme në shkolla dhe universitete në mbarë Kosovën, hapur dhe me dijeninë e institucioneve përgjegjëse.

Nëse sot pretendohet se përmbajtja e këtyre aktiviteteve ka qenë problematike, përgjegjësinë duhet ta mbajnë institucionet që i kanë miratuar dhe lejuar. Ato duhet t’i shpjegojnë publikut pse këto praktika janë toleruar dhe mbështetur për kaq gjatë, nëse sot po shpallen të papranueshme. Por qartazi, këto aktivitetet nuk përbëjnë asnjë shkelje andaj edhe deri tash nuk ka pasur reagime.

Pesha dhe ngarkesa politike e ndërtuar rreth Gjykatës Speciale nuk duhet të përdoret si justifikim për censurë, sulme publike, shpifje apo linçim të organizatave të shoqërisë civile. Asnjë temë nuk mund të shndërrohet në tabu që ndalon diskutimin dhe informimin. Historia jonë na e ka mësuar qartë se e drejta për tubim, fjalë të lirë dhe diskutim nuk është opsionale. Ajo nuk mbrohet vetëm në rrethana rehatie, por pikërisht atëherë kur është e vështirë dhe sfiduese. Një klimë që ndëshkon diskutimin nuk prodhon qytetarë të fuqizuar, por institucione të brishta dhe një jetë publike të pasigurt.

Nëse këto reagime do të kishin për brengë të mirën publike, ky rast do të mund të shërbente si mundësi për të diskutuar përmbajtjen e vetë aktivitetit, atë se si, dhe çfarë është prezantuar, nëse përmbajtja vërtetë ka reflektuar kontekstin dhe karakteristikat mbi të cilat është themeluar gjykata, nëse ka nxitur dialog të mirëfilltë mes nxënësve dhe nëse ka pasur hapësirë për diskutim kritik mbi një sistem gjyqësor kompleks dhe të pazakontë, si dhe, nëse shkolla dhe institucionet publike kanë kryer rolin e vet mbikëqyrës dhe bashkëpunues.

Organizatat e shoqërisë civile kanë qenë për dekada aktorë të rëndësishëm të edukimit qytetar dhe mësimit joformal në Kosovë, duke plotësuar boshllëqet e sistemit publik të arsimit. Institucionet publike duhet ta shohin këtë bashkëpunim si potencial real për rritjen e cilësisë së të nxënit për fëmijët dhe të rinjtë, veçanërisht për zhvillimin e mendimit kritik dhe demokratik.

Ky rast nxjerr në pah një qasje institucionale të fragmentuar, pa vizion afatgjatë për edukimin qytetar, dhe të ndërtuar mbi reagime impulsive. Në vend të sulmeve dhe frikës, institucionet komunale, shkollat dhe institucionet tjera duhet të ndërtojnë mekanizma bashkëpunimi dhe mbështetjeje të ndërsjellë me organizatat e shoqërisë civile, në funksion të fuqizimit të edukimit qytetar dhe zhvillimit demokratik. Raste si ky duhet të shërbejnë për ta zgjeruar hapësirën për aktivizëm dhe bashkëpunim, duke e bërë atë më të fortë dhe më të qartë në rregulla.

I bëjmë thirrje Drejtorisë së Arsimit të Komunës së Prishtinës dhe të gjitha palëve të përfshira që të ndalin menjëherë stigmatizimin dhe sulmet ndaj YIHR-së dhe organizatave të shoqërisë civile në përgjithësi, dhe ta zëvendësojnë gjuhën linçuese e ndëshkuese me përgjegjësi, transparencë dhe dialog.