Një shumë simbolike e të hollave iu dhurua organizatës “Zë” – Qendra Logopedike për Trajtim dhe Hulumtim, e cila u mblodh përmes një kampanje të vogël që u realizua gjatë një ushtrimi grupor në kuadër të trajnimit të avancuar për diversifikim të burimeve dhe mbledhje të fondeve. Kjo shumë e mbledhur do të sigurojë materialet didaktike, të nevojshme për realizimin e vlerësimeve dhe seancave logopedike në kuadër të organizatës.
Trajnimin e avancuar të mbajtur gjatë qershorit në Graçanicë dhe Prishtinë, të cilin e ofruan grupi i trajnerëve dhe mentorëve profesionistë të trajnuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) dhe Catalyst Balkans, e përfunduan 31 përfaqësues të 27 organizatave të shoqërisë civile (OShC). Ky trajnim pati për qëllim thellimin e njohurive të fituara nga trajnimet bazike të mbajtura në mars të këtij viti. I njëjti ofroi njohuri mbi modelet e ngritjes së fondeve, ndërtimin e partneriteteve me donatorët nga komuniteti i biznesit, si dhe sigurimin e një qëndrueshmërie financiare në komunitetet ku veprojnë. Trajnimi gjithashtu shërbeu si platformë inspirimi, ku u prezantuan modelet e ndryshme të ngritjes së fondeve nga organizata Germin dhe SOS Fshatrat e Fëmijëve në Kosovë.
Ky njëherit ishte niveli i dytë i ciklit të trajnimeve në qëndrueshmërinë financiare të OShC-ve, i cili do të përcillet me mentorimin e drejtpërdrejtë të organizatave që do të ofrohet nga ekspertët e CEA.