Dymbëdhjetë të rinj dhe të reja nga rajoni i Mitrovicës kanë përfunduar me sukses edicionin e tretë të Akademisë për Udhëheqësi në Komunitet, një program transformues mësimor 12-javor. Të njëjtit tashmë janë pjesë e një rrjeti të aktivistëve të rinj, i pari i këtij formati në Kosovë.
Akademia synon të kultivojë një grup aktivistësh me bazë në komunitet, të pajisur me mjetet e nevojshme për të iniciuar ndryshime pozitive brenda komuniteteve të tyre. Gjatë 24 moduleve gjithëpërfshirëse, këta të rinj dhe të reja u fuqizuan me njohuri dhe aftësi për të organizuar në mënyrë efektive komunitetet e tyre. Ata gjithashtu mësuan se si të krijojnë rrjete të vlefshme me organizatat e shoqërisë civile, zyrtarët publik, mediat dhe sektorin privat, duke u mundësuar atyre të eksplorojnë zgjidhje inovative për sfidat lokale. Përveç kësaj, pjesëmarrësit e Akademisë do të marrin përkrahje financiare në vlerë deri në 3 mijë dollarë, për çështjet të cilat i kanë identifikuar, e më pas me ndihmën e mentorëve i kanë zbërthyer në iniciativa konkrete për intervenime në komunitetet e tyre.
Ndryshe, programi i Akademisë, i cili ofrohet falas, është hartuar në bashkëpunim me Street Law, organizatë prestigjioze në fushën e edukimit jo-formal me bazë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Akademia zhvillohet në kuadër të Programit për Angazhim Qytetar, një iniciativë pesë vjeçare që zbatohet nga KCSF në partneritet me misionin e USAID në Kosovë. Qëllimi kryesor i Programit për Angazhim Qytetar është të ushqejë kulturën e aktivizmit që e bën jetën në lagjet dhe qytetet tona më të mirë, më të kujdesshme dhe më kuptimplotë. Nëpërmjet aktiviteteve të tij, programi do të realizojë një numër të veprimeve të bazuara në tre shtylla thelbësore: angazhimin e komunitetit, rritjen e besimit ndër-shoqëror si dhe zgjerimin e mobilizimin e burimeve të reja.