Mbi 20 trajnerë dhe trajnere do të përkrahin OShC-të në diversifikim të burimeve të tyre financiare dhe jo-financiare

Trajnimi i trajnerëve që është mbajtur javën e kaluar, ka për qëllim të përgatisë një grup profesionistësh dhe aktivistësh të shoqërisë civile të cilët në të ardhmen do të mbështesin OShC-të në Kosovë në zbatimin e modeleve të ndryshme të mbledhjes së fondeve nga komuniteti.

Përmes trajnimit, pjesëmarrësit kanë thelluar njohuritë e tyre për zhvillim të modeleve të ndryshme për mbledhjen e fondeve nga qytetarë dhe grupe tjera të interesuar për punën e organizatës, dhe planifikimin e modeleve inovative për mbledhjen e fondeve.

Mezi presim të shohim angazhimin e grupit të trajnerëve që do të përkrahin OShC-të jo vetëm në diversifikim të burimeve të tyre, por gjithashtu do t’i sjellin OShC-të më pranë qytetarëve duke ndërtuar lidhje më të forta në komunitetet ku veprojnë.

Trajnimi është mbajtur nga Catalyst Balkans, dhe ofrohet në kuadër të Programit për Angazhim Qytetar i cili zbatohet në partneritet mes KCSF dhe USAID në Kosovë.