LUKSEMBURGU SHPALOS PËRKRAHJEN E VET PËR SHOQËRINË CIVILE TË KOSOVËS

Përkrahja e Luksemburgut për shoqërinë civile në Kosovë është një program katërvjeçar i cili përkrahë shoqërinë civile në Kosovë, i financuar nga Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut. Në fillim të vitit 2017, Qeveria e Luksemburgut ka ndarë një grant prej 2 milion eurosh për ta përkrahur shoqërinë civile në Kosovë.

Një sërë sfidash aktuale për Kosovën janë theksuar në këtë bashkëpunim përmes përkrahjes financiare për organizatat e shoqërisë civile, për të lejuar pjesëmarrjen dhe kontributin e tyre në tri fusha tematike. Së pari, në kuadër të këtij bashkëpunimi theksohen nismat për integrimin social për të parandaluar radikalizimin në vend, me fokus në rininë.
Së dyti, raportimi i drejtë gazetaresk dhe liria e shtypit janë ndër temat qendrore të kësaj përkrahjeje.

E fundit por jo më pak e rëndësishme, shtimi i njohurive mbi Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit dhe Integrimet Evropiane është tema e tretë e që adresohet brenda këtij programi shumëvjeçar. Programi përkrah organizatat e shoqërisë civile që sjellin vlerë të shtuar dhe kontribuojnë në zbatimin e aktiviteteve sipas prioriteteve të lartpërmendura tematike. Brenda kësaj skeme, roli i grave, barazia gjinore, si dhe integrimi i pakicave do të përkrahen në mënyrë sistematike dhe do të promovohen në të gjitha aktivitetet e ndërmarra.

Rezultatet e fushave tematike të përkrahjes së Luksemburgut në katër vitet e ardhshme pritet të kontribuojnë në rezultatet e pritshme si vijon: a) Pjesëmarrja dhe kontributi i shtuar i OJQ-ve në fushat përkatëse; b) Konsolidimi i bashkëpunimit ndërmjet shoqërisë civile, komuniteteve lokale dhe institucioneve publike; dhe c) Fuqizimi i grave nëpërmjet përfshirjes në nismat e komunitetit dhe proceset e politikave.

KCSF ka shpallur thirrjen e parë për Integrimin Social të Rinisë në nëntor të vitit 2017 dhe ka kontraktuar shtatë organizata përmes një ‘thirrjeje të kufizuar’, bazuar në kredibilitetin, kapacitetin dhe ekspertizën e dëshmuar të tyre në intervenime të ngjashme. Me këto grante presim rezultate në rritjen e angazhimit aktiv të të Rinjve për Qytetari Aktive dhe Përfshirje Sociale si dhe rritje të mundësive për të rinjtë që të angazhohen në tregun e punës.

Përveç thirrjes për integrim social, KCSF do të shpallë një thirrje të hapur për raportim të drejtë të gazetarisë gjatë muajit shkurt të vitit 2018. Fusha tematike për shtimin e njohurive mbi BE-në është zbatuar përmes granteve operative dhe varësisht nga nevojat e identifikuara për ndërhyrje.