KUVENDI VOTOI PËR TA PËRMIRËSUAR LIGJIN E RI PËR OJQ, NË PËRPUTHJE ME STANDARDET DHE PRAKTIKAT E MIRA NDËRKOMBËTARE

Prishtinë, 15 prill 2019 – Më shumë se pesë muaj pasi që miratoi një verzion jashtëzakonisht problematik, Kuvendi i Kosovës sot votoi amandamentet e propozuara nga Zyra e Presidentit të Kosovës në Ligjin për OJQ, në përputhje me standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare dhe kërkesat e shoqërisë civile.

Që nga nëntori 2018, rreth 300 organizata të shoqërisë civile ishin bashkuar për të parandaluar rrezikun që i kanosej sektorit të shoqërisë civile dhe demokracisë kosovare nga ky ligj. Pas kërkesës së suksesshme për Presidentin e Kosovës që ta kthejë këtë ligj në rishqyrtim në Kuvend, këto organizata ndërmorrën një fushatë intenzive të informimit të të gjitha grupeve parlamentare lidhur me problemet e këtij ligji të paprecedentë në Europë dhe më gjerë, dhe me pasojat që mund të shkaktohen nëse nuk kthehen dispozitat e drejta. Në përkrahje të kërkesave të shoqërisë civile u bashkuan edhe një numër i madh i ambasadave të vendeve perëndimore në Kosovë, BE-së, organizatave ndërkombëtare dhe partnerëve tjerë vendorë e ndërkombëtarë.

Ndryshimet e momentit të fundit të 7 nëntorit 2018 kishin shkatërruar parimin jo-për-përfitim, duke legalizuar faljen e qindra miliona eurove të pasurisë së OJQ-ve për biznese private. Gjithashtu, kishte mundësuar mbylljen arbitrare të OJQ-ve nga shteti, duke shkelur parimet bazë të lirisë së asocimit të garantuar me Kushtetutën e Kosovës.

KCSF dhe 284 organizatat e shoqërisë civile pjesë të kësaj nisme vlerësojnë reflektimin e partive politike parlamentare pas argumenteve të shoqërisë civile, dhe votën e tyre të sotshme në Kuvend e cila mbrojti të ardhmen e sektorit dhe demokracisë kosovare