Edicioni i pestë i Shkollës për Aktivizëm, vazhdoi me Modulin e 5-të: Integrimi gjinor, temë kjo thelbësore për një angazhim të përgjegjshëm dhe gjithëpërfshirës të Organizatave të Shoqërisë Civile (OShC). Pas moduleve mbi qeverisjen e brendshme, mobilizimin e komunitetit, vlerësimin e ndikimit dhe diversifikimin e burimeve financiare, ky modul kishte në qendër mënyrën se si perspektiva gjinore mund të integrohet në strukturat, dokumentet, projektet dhe proceset e brendshme të organizatave.
Për OShC-të, integrimi gjinor nuk nënkupton vetëm trajtimin e barazisë gjinore si temë të veçantë në projekte apo përdorimin formal të gjuhës së ndjeshme gjinore. Ai kërkon që organizatat të analizojnë se si normat, rolet dhe pabarazitë gjinore ndikojnë në qasjen e qytetarëve/eve në shërbime, në pjesëmarrje, në vendimmarrje dhe në përfitimin nga programet që zbatohen.
Çdo politikë, projekt apo ndërhyrje që nuk e sheh botën edhe nga këndvështrimi gjinor, rrezikon të riprodhojë pabarazi. Prandaj, përmes këtij moduli, Shkolla për Aktivizëm synoi fuqizimin e kapaciteteve të organizatave që barazia gjinore të mos jetë vetëm një parim, por pjesë e punës së përditshme organizative dhe komunitare.
Gjatë sesioneve të udhëhequra nga znj. Nicole Farnsworth, studiuese, shkrimtare dhe aktiviste për barazi gjinore, pjesëmarrësit/et u njohën me konceptet bazë të barazisë gjinore, kontekstin gjinor në Kosovë, përdorimin e gjuhës së përgjegjshme gjinore në dokumente organizative, integrimin e perspektivës gjinore në çdo fazë të ciklit të projektit si dhe buxhetimin e përgjegjshëm gjinor dhe rëndësinë e perspektivës gjinore në procesin e monitorimit dhe vlerësimit të ndikimit.
Përmes diskutimeve dhe ushtrimeve praktike, pjesëmarrësit/et reflektuan mbi mënyrat se si organizatat mund të identifikojnë dhe shmangin riprodhimin e pabarazive pa qëllim, si dhe të zhvillojnë programe, politika dhe praktika që u përgjigjen më drejt nevojave të komuniteteve që u shërbejnë.
Shkolla për Aktivizëm organizohet në kuadër të Qendrës së Burimeve për Shoqërinë Civile në Kosovë.
Ky aktivitet bashkëfinancohet nga Bashkimi Evropian dhe Suedia. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) dhe Community Building Mitrovica (CBM) dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian ose të Suedisë.