27 qershor 2023- Festivali multidiciplinar Green Festival nisë edicionin e 13-të këtë të enjte, nën organizimin e organizatës kulturore 7 Arte në Mitrovicë. Një program i pasur me aktivitete do ta karakterizoj festivalin këtë vit, ku përmes punëtorive të artit, koncerteve muzikore, aktiviteteve të ndryshme edukative e rekreative në natyrë, synohet angazhimi i qytetarëve në çështje shoqërore në mënyrë që të punohet drejt krijimit të një qyteti e komuniteti më të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës.
7 Arte, organizon këtë festival katër ditorë në kuadër të Grantit institucional që përkrahet përmes Programit EJA Kosovë të KCSF-së. Krahas festivalit, përmes këtij granti 7 Arte po punon intensivisht në promovimin e trashëgimisë industriale dhe kulturore të Mitrovicës si dhe mbështetjen dhe promovimin e artistëve nga Kosova dhe rajoni.
Vetëm gjatë vitit 2022, kjo organizatë kulturore ka promovuar 150 artistë, duke i përfshirë ata në ngjarje dhe aktivitete të organizuara në hapësirat e organizatës por edhe jashtë saj.
7 Arte gjithashtu ka realizuar projektin “Kujtesa e Trepçës”, duke arritur të mbledh përmes intervistave 100 rrëfime të ish punëtorëve të Kombinatit Trepça, kështu duke dokumentuar historinë dhe memorien kolektive të kësaj ndërmarrjeje.
Për më tepër, 7 Arte ka luajtur një rol tejet të rëndësishëm në lobimin kundër ridestinimit të objektit të Muzeut të qytetit të Mitrovicës, që rezultoi me tërheqjen e Komunës nga ky plan.
EJA Kosovë, është program i KCSF-së i cili përkrahet nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim dhe Suedia.