FTESË PËR APLIKIM – SHKOLLA PËR INTEGRIM EUROPIAN, PROGRAMI I RI / GJENERATA III / SHTATOR – DHJETOR 2013

Shkolla për Integrim Europian (www.shkollaeuropiane.org) është një projekt i nisur në vitin 2005 nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur – KFOS (www.kfos.org) dhe i zbatuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile – KCSF (www.kcsfoundation.org).

Deri më tani Shkolla për Integrim Europian ka ofruar një program të veçantë të shkollimit mbi historikun, institucionet, kornizën legjislative, politikat dhe proceset e politikave në BE, Europën si një lojtar global, si dhe të ardhmen e rajonit brenda procesit të Integrimit Europian, me fokus të veçantë në marrëdhëniet Kosovë – BE. Qëllimi i përgjithshëm i Shkollës është të përgatisë liderët e ardhshëm të kuptojnë sfidat e Integrimit Europian. Qëllimi kryesor i shkollës është arritur duke ngritur nivelin e njohurisë dhe vetëdijes ndër pjesëmarrësit në çështjet dhe politikat europiane dhe rrjedhimisht të transferojnë dhe përdorin njohuritë e fituara në ambientin e tyre punues. Për shtatë vite të ekzistencës së saj, Shkollën e kanë vijuar 16 gjenerata dhe 920 të diplomuar nga sektorë të ndryshëm si administrata publike, shoqëria civile, mediat, bizneset, organizatat e ndryshme profesionale dhe zyret ndërkombëtare në Kosovë.

Duke u bazuar në rrjetin e ligjeruesve dhe ekspertëve vendor, rajonal dhe nga BE-ja, në përvojën e punës me grupe heterogjene, si dhe në organizimin e moduleve të ndryshme për ngritjen e kapaciteteve nga fusha e Integrimit Europian, duke filluar nga muaji shtator 2012 Shkolla ka ofruar punëtori të specializuara në të cilat mund të regjistrohen pjesëmarrës të rinj, por edhe të diplomuarit nga gjeneratat e kaluara të Shkollës. Me këtë rast, ftohen të gjithë të interesuarit për tu regjistruar në Shkollë.

Shkolla ofron 1 modul bazik të ndarë në 3 punëtori që ofrohet për të gjithë të interesuarit e rinj dhe 1 modul të avancuar të ndarë në 2 punëtori që ofrohet për ekspertë të fushës, duke përfshirë alumnit. Punëtoritë do të mbahen në gjuhën angleze dhe shqipe derisa përkthimi simultan është i siguruar. Për më shumë rreth moduleve vizitoni webfaqen e Shkollës.

Ky konkurs është i hapur për të interesuarit e të gjitha komuniteteve etnike që jetojnë në Kosovë. Përparësi në përzgjedhje do të kenë kandidatët të cilët dëshmojnë se pjesëmarrja do ti ndihmojë me njohuri organizatës në të cilën punon. Ky projekt financohet nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS) dhe për pjesëmarrësit programi ofrohet falas.

Aplikacioni bëhet online dhe duhet të përmbajë të gjitha dokumentet e mëposhtme:

  1. Formulari për aplikim i plotësuar online (webfaqja www.shkollaeuropiane.org)
  2. Rezyme profesionale – CV (shqip, serbisht ose anglisht)
  3. Letër motivimi për pjesëmarrje (shqip, serbisht ose anglisht)
  4. Letër rekomandimi e dedikuar për këtë shkollë – nënshkruar dhe e vulosur nga punëdhënësi.

Afati për aplikim për modulin bazik është 6 shtator, 2013 (e premte) ora 14:00 derisa për modulin e avancuar është 1 tetor, 2013 ora 14:00.

Vetëm kandidatët e përzgjedhur do të kontaktohen me e-mail. Informata më të hollësishme për projektin mund të mirren në web faqen e shkollës www.shkollaeuropiane.org ose çdo ditë pune prej orës 10:00 – 12:00 në tel. 038 248 636 ose përmes emailit info@shkollaeuropiane.org