Me të rinj dhe të reja nga rajoni i Mitrovicës, të premten ka filluar edicioni i tretë i Akademisë për Udhëheqësi në Komunitet, një program transformues mësimor 12-javor.

Akademia synon të kultivojë një grup aktivistësh me bazë në komunitet, të pajisur me mjetet e nevojshme për të iniciuar ndryshime pozitive brenda komuniteteve të tyre. Gjatë 24 moduleve gjithëpërfshirëse, këta të rinj dhe të reja nga ky rajon do të fuqizohen me njohuri dhe aftësi për të organizuar në mënyrë efektive komunitetet e tyre. Ata gjithashtu do të mësojnë se si të krijojnë rrjete të vlefshme me organizatat e shoqërisë civile, zyrtarët publik, mediat dhe sektorin privat, duke u mundësuar atyre të eksplorojnë zgjidhje inovative për sfidat lokale. Përveç kësaj, pas përfundimit të Akademisë, pjesëmarrësit do të marrin përkrahje financiare në vlerë deri në 3 mijë dollarë, për çështjet të cilat do t’i identifikojnë, e më pas me ndihmën e mentorëve do t’i zbërthejnë në iniciativa konkrete për intervenime në komunitetet e tyre.

Programi i Akademisë, i cili ofrohet falas, është hartuar në bashkëpunim me Street Law, organizatë prestigjioze në fushën e edukimit jo-formal me bazë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Edicioni i parë është mbajtur në Prishtinë, kurse i dyti në Pejë.

Akademia zhvillohet në kuadër të Programit për Angazhim Qytetar, një iniciativë pesë vjeçare që zbatohet nga KCSF në partneritet me misionin e USAID në Kosovë. Qëllimi kryesor i Programit për Angazhim Qytetar është të ushqejë kulturën e aktivizmit që e bën jetën në lagjet dhe qytetet tona më të mirë, më të kujdesshme dhe më kuptimplotë. Nëpërmjet aktiviteteve të tij, programi do të realizojë një numër të veprimeve të bazuara në tre shtylla thelbësore: angazhimin e komunitetit, rritjen e besimit ndër-shoqëror si dhe zgjerimin e mobilizimin e burimeve të reja.