Prishtinë, 28 qershor 2024 – Raporti “Kosova Dhuron 2023”, i publikuar në kuadër të Programit për Angazhim Qytetar, paraqet një rekord të ri të kontributit filantropik në Kosovë që arrin shumën e mbi 8.7 milionë euro të dhuruara përmes 793 rasteve të dhurimit për bamirësi dhe përkrahje tjera. Këto të dhëna tregojnë një angazhim të lartë të qytetarëve dhe organizatave të shoqërisë civile (OShC) në mbështetjen e projekteve dhe nismave që përmirësojnë cilësinë e jetës në komunitet.
Të dhënat e raportit tregojnë se dhuruesit individual dhe OShC-të kanë luajtur rol vendimtar në rritjen e filantropisë në Kosovë. Sipas analizës së të dhënave, donacionet e qytetarëve përbënin gati gjysmën e shumës së regjistruar të dhurimeve. Dhënia individuale për kokë banori arriti në 5 euro, ndryshe nga viti i kaluar kur kjo shumë ishte 1.9 euro. Kontributet e diasporës mbeten pjesë e rëndësishme e ambientit filantropik në Kosovë, me mbi 1.2 milionë euro të dhuruara përmes 130 rasteve të donacioneve.
Sa i përket numrit të rasteve, të dhënat e raportit tregojnë se individët dhe familjet ishin kategoria më e madhe e pranuesve me 52.6%, përcjellë nga OShC-të me 36.7%.
Shumë nga donacionet kanë qenë të destinuara për të lehtësuar varfërinë, duke ndihmuar kryesisht individët me vështirësi ekonomike. Ndihma është përqendruar kryesisht në efektet afatshkurtra, duke synuar mbështetjen e njerëzve në nevojë dhe grupet e cenueshme.
Gjeografikisht, Prizreni vazhdon të dëshmojë numrin më të madh të rasteve të dhurimeve, pasuar nga Prishtina dhe Mitrovica.
Programi për Angazhim Qytetar është një iniciativë pesëvjeçare e zbatuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID). Catalyst Balkans është partner i KCSF-së në zbatimin e këtij Programi dhe mban përgjegjësinë e vetme për përmbajtjen e raportit “Kosova Dhuron 2023”, i cili nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e USAID-it apo Qeverisë së Shteteve të Bashkuara.