Venera Hajrullahu e udhëhoqi KCSF-në për 13 vite, nga shkurti i vitit 2006 e deri në shtator të vitit 2018, periudhë kjo që shënoi një zhvillim të madh të organizatës
E diplomuar për Gjuhë dhe letërsi frënge në Universitetin e Prishtinës, Venera kreu studimet pas-diplomike në Institutin Europian të Universitetit të Gjenevës në Zvicër në fillim të viteve të 90-ta. Pas një periudhe të shkurtë të angazhimit profesional në Zvicër, u kthye në Kosovë dhe në vitet 1998-1999 u angazhua në Misionin Vëzhgues të OSBE-së në Kosovë. Vetëm disa muaj pas përfundimit të luftës në Kosovë në qershor 1999, ishte ndër personat kyç që ndihmuan në themelimin e transmetuesit publik, Radio Televizionit të Kosovës (RTK). Pas dy vitesh angazhimi në Fondacionin e Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS) në programet e përkrahjes së administratës publike dhe qeverisjes lokale, nga viti 2004 drejtoi Zyrën për Integrim Europian të themeluar në kuadër të Zyrës së Kryeministrit të Kosovës duke kontribuar në krijimin e strukturave e programeve fillestare për procesin e Integrimit europian të Kosovës. Gjithashtu, ishte Kryesuese e Grupit të ekspertëve për Reformën e Administratës Publike në vitet 2006-2007 ndërsa shërbeu edhe si Këshilltare e jashtme për Integrim europian e disa Kryeministrave, si dhe Presidentes Jahjaga.
Në shkurt 2007 pranoi detyrën e Drejtores Ekzekutive të KCSF-së, në një periudhë kur organizata ishte në një periudhë krize të thellë. Duke e vazhduar punën në misionin themeltar në zhvillimin e shoqërisë civile, Venera i’a shtoi punës së KCSF-së një perspektivë të veçantë të Integrimit europian, si reflektim i hapjes së perspektivës europiane të gjithë rajonit, përfshirë Kosovën. Me një angazhim të jashtëzakonshëm të saj dhe ekipit që krijoi, Venera arriti që jo vetëm ta nxirrte KCSF-në nga kriza, por shumë shpejt ta tejkalojë nivelin e zhvillimit të deriatëhershëm të organizatës. Paralelisht me themelimin e Shkollës për Integrim Europian dhe projekteve tjera të shumta të lidhura me BE-në, nën udhëheqjen e Venerës KCSF-në riktheu programet e saj të granteve për shoqëri civile në vitin 2009, ndërsa gjithashtu krijoi dhe zhvilloi njësitë e veçanta të hulumtimit, respektivisht Qendrën e KCSF-së për ngritje të kapaciteteve të shoqërisë civile. Përgjatë periudhës së udhëheqjes së saj, KCSF u shndërrua në njërën nga organizatat kryesore të shoqërisë civile në Kosovë dhe rajon, duke menaxhuar fondet për shoqëri civile të donatorëve kryesorë bilateral, duke avokuar suksesshëm në tema të shumta të hapësirës për veprim të shoqërisë civile në Kosovë dhe drejt institucioneve të BE-së në Bruksel, si dhe duke ngritur kapacitetet e qindra organizatave e aktivistëve të shoqërisë civile.
Pas largimit të saj në vitin 2018, si eksperte e pavarur është angazhuar në projekte, nisma e botime të shumta në Kosovë, rajon dhe më gjerë, në fushat e zhvillimit të shoqërisë civile, ndërtimit të institucioneve demokratike, Integrimit Europian, Reformës së administratës publike, si dhe bashkëpunimit rajonal.