Taulant Hoxha është emëruar Drejtor Ekzekutiv i KCSF-së në shtator 2018, pasi që më parë kishte shërbyer në pozita të ndryshme në organizatë nga viti 2007.

I diplomuar në Shkenca Politike, Taulanti ka qenë aktivist i shoqërisë civile për më shumë se dy dekada, i angazhuar në nisma e organizata të ndryshme në nivel lokal e qendror. Ka bërë programe studimi në Qendrën Europiane për të Drejtën Jo-për-përfitim – ECNL në Budapest në temën e Statusit për Përfitim Publik, si dhe në Universitetin e Qytetit të Nju Jorkut – CUNY në temën e filantropisë komunitare, me theks në filantropinë e diasporës. Gjithashtu, është pjesëmarrës i programeve të shumta të trajnimit në fushën e udhëheqësisë dhe menaxhimit, politikave të Bashkimit Europian, të drejtës jo-për-përfitim, zhvillimit të shoqërisë civile, etj. nga organizata e institucione të njohura vendore dhe ndërkombëtare.

Para angazhimit në KCSF ka shërbyer si konsulent për punë me rini në Këshillin e Europës ne vitet 2002-2004, si dhe Drejtor Ekzekutiv i parë i organizatës jo-qeveritare “Emancipimi Civil Ma Ndryshe” në periudhën 2006-2007. Gjithashtu, ka shërbyer si Kryetar i Shoqatës së Gjyqtarëve të Basketbollit të Kosovës gjatë viteve 2008-2009, ndërsa gjithashtu edhe si U.D. Udhëheqës i Sekretariatit të Platformës CiviKos në periudhën 2010-2011. Nga viti 2012 deri në vitin 2022 ka shërbyer si Udhëheqës i Bordit të Platformës CiviKos.

Ka publikuar dhjetëra studime e artikuj në vend dhe jashtë lidhur me shoqërinë civile, ndërsa ka marrë pjesë aktive e ka udhëhequr shumë nisma për mbrojtjen dhe përparimin e hapësirës qytetare e shoqërisë civile në Kosovë dhe rajon. Ndër të tjera, ka qenë pjesë e grupit të ekspertëve për hartimin e Matricës rajonale për monitorimin e ambientit për shoqëri civile, si dhe pjesë e ekipeve konsultuese të ekspertëve për hartimin e Udhëzuesit të BE-së për shoqërinë civile në vendet e zgjerimit 2014-2020, si dhe Udhëzuesit të Komisionit të Venedikut për lirinë e asocimit. Në Kosovë ka qenë pjesë aktive e dhjetëra grupeve punuese për hartimin e legjislacionit, politikave dhe strategjive që lidhen me punën e shoqërisë civile në Kosovë.

Nga viti 2020 shërben si zv. Udhëheqës i Bordit të Rrjetit Ballkanik për Zhvillim të Shoqërisë Civile (BCSDN).