Agon Demjaha ishte Drejtori Ekzekutiv i parë i Qendrës për Zhvillim të Shoqërisë Civile (CeDeCis) që më pas do të njihej si KCSF. Edhe pse qëndroi në këtë pozitë vetëm rreth një vit, ai udhëhoqi CeDeCis në procesin e themelimit si i deleguar nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur, dhe pastaj në aktivitetet e para në vitin 1998 e deri në përfundimin e luftës në qershor të vitit 1999. Gjithashtu, bashkë me Lulzëim Pecin dhe Steven Sampson, ishte një nga tre personat që e regjistruan organizatën pas çlirimit, më 2 dhjetor 1999, tashmë me emrin Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).  

Agoni mbanë titullin MA në Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Studime Europiane, si dhe atë PhD në Shkenca Politike. Ka më shumë se katër dekada përvojë në fushën e mësimdhënies universitare, diplomacisë dhe sektorit jo-qeveritar. Gjatë kësaj periudhë ka botuar artikuj të shumë në fushën e shkencave politike në revista të ndryshme ndërkombëtare, ndërsa gjithashtu është autor i kapitujve të ndryshëm në libra të botuar nga shtëpi të njohura botuese si United Nations University Press, Imperial College Press dhe Palgrave Macmillan.

Gjatë viteve 2006-2010 ka shërbyer si Ambasador i Maqedonisë së Veriut në Suedi, periudhë gjatë së cilës ka mbuluar edhe Norvegjinë dhe Finlandën si ambasador jo-rezident. Në vitet 2010-2012 ishte angazhuar si këshilltar i Ministrit për Punë të Jashtme, si dhe Ministrit për Zhvillim Ekonomik në Qeverinë e Kosovës.

Aktualisht është i angazhuar si Profesor i Asociuar i Shkencave Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Tetovës në Maqedoninë e Veriut, ndërsa vazhdon angazhimin në fushat e marrëdhënieve etnike, parandalimin dhe zgjidhjen e konfliktit, bashkëpunimin rajonal, si dhe diplomacisë.