GRANTE PËR ZHVILLIM ORGANIZATIV

EJA Kosovë njeh potencialin e OJQ-ve për të kontribuar në fusha të ndryshme. Ky potencial zakonisht verëhet te OJQ-të e konsoliduara, që kanë vizion të qartë dhe punojnë në mënyrë sistematike për të zbatuar strategjitë e tyre. Ka OJQ të tjera që ende nuk janë në atë nivel, por kanë drejtim të qartë të zhvillimit, përfshirë qëllimet programore dhe grupet e qytetarëve të cilët i përfaqësojnë ose i synojnë me punën e tyre. Megjithatë, ky potencial nuk shfrytëzohet plotësisht pasi struktura e tyre e financimit nuk mbështet zhvillimin organizativ. Zhvillimi organizativ pamundësohet nëse organizatat zbatojnë aktivitete të projekteve të shkurta dhe strikte pa ndonjë mundësi për investim në zhvillim, ndërtim të kapaciteteve dhe ngritje të sistemeve të brendshme. Për më shumë, për zhvillimin organizativ, këto OJQ shpesh janë të detyruara të përdorin burime të brendshme të kufizuara ose fonde të projekteve që nuk janë të destinuara drejtpërdrejt për qëllime te zhvillimit organizativ. Duke siguruar mbështetje për zhvillim afatgjatë dhe të përshtatur për nevojat e organizatës, organizatat e synuara do të përdorin fonde specifike të dedikuara më shumë për ta përparuar organizimin e tyre sesa vetëm për projekte specifike. Veçanërisht, këto grante synojnë të mbështesin ndërtimin e kapaciteteve të stafit, zhvillimin dhe zbatimin e instrumenteve dhe sistemeve të brendshme, zhvillimin e politikave dhe dokumenteve të brendshme, përdorimin e softuerëve dhe pajisjeve ose metodologjive dhe qasjeve specifike. Ngjashëm me instrumentet e tjerë të EJA Kosovë, këto grante u mundësojnë organizatave që të adresojnë në mënyrë konsistente dhe sistematike edhe përfshirjen e qytetarëve në punën e tyre dhe t’i përmirësojnë praktikat e qeverisjes së brendshme.