1. Çka kuptojmë me pjesëmarrje qytetare në vendimmarrje?
Pjesëmarrja qytetare nënkupton një veprim individual ose kolektiv, me qëllim të identifikimit dhe adresimit të çështjeve me interes publik. Pjesëmarrja qytetare është një proces ku qytetarët organizojnë veten dhe qëllimet e tyre në nivelin praktik dhe punojnë së bashku qoftë në nivel individual ose përmes organizatave të shoqërisë civile për të ndikuar në procesin e vendimmarrjes. Pjesëmarrja në procese vendimmarrëse do të thotë mundësi për qytetarët, OShC-të dhe palët e tjera të interesuara për të ndikuar në zhvillimin e politikave dhe ligjeve të cilat i prekin ata.
2. A mund të zëvendësojë pjesëmarrja qytetare përgjegjësitë kushtetuese të institucioneve publike?
Pjesëmarrja qytetare nuk i pezullon kompetencat kushtetuese dhe ligjore të përfaqësuesve të pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ në procedurën e miratimit dhe zbatimit të ligjeve, si dhe të instrumenteve të politikave publike, por për më tepër ua mundëson autoriteteve t’i zbatojnë këto kompetenca në mënyrë më efikase.
3. Cilat janë nivelet kryesore të pjesëmarrjes qytetare?
Ekzistojnë katër nivele të pjesëmarrjes qytetare, nga ai me më së paku pjesëmarrje deri tek ai me pjesëmarrësi. Këto janë: informimi; konsultimi; dialogu dhe partneriteti.
4. Çfarë është informimi?
Qasja në informata është baza e të gjithë hapave pasues në përfshirjen e OshC-ve në procesin e vendimmarrjes politike. Ky është një nivel relativisht i ulët i pjesëmarrjes i cili zakonisht konsiston në ofrimin njëkahor të informatave nga autoritetet publike, duke mos kërkuar dhe duke mos pritur ndërveprim ose përfshirje të OJQ-ve. Informimi është relevant për të gjithë hapat e procesit të vendimmarrjes. Pa qenë të informuar paraprakisht për planet dhe punën e institucioneve publike, qytetarët nuk mund të marrin pjesë në asnjë fazë të mëvonshme të punës së institucionit përkatës.
5. Çfarë është konsultimi?
Konsultimi është një formë e pjesëmarrjes, ku autoritetet publike u kërkojnë qytetarëve dhe OShC-ve mendimin e tyre rreth një teme të caktuar të politikave ose zhvillimeve. Konsultimi zakonisht nënkupton informimin e qytetarëve dhe OShC-ve nga autoritetet për zhvillimet e ndryshme të politikave dhe kërkesën për komente, qëndrime dhe reagim. Iniciativa dhe temat dalin nga autoritetet publike, e jo nga qytetarët dhe OShC-të.
6. Çfarë është dialogu?
Dialogu është një proces i vazhdueshëm i konsultimit në mes të autoriteteve publike dhe OShC-ve, i cili ndodh në të gjitha fazat e bërjes dhe zbatimit të politikave, që nga përcaktimi i agjendës e deri te vlerësimi dhe riformulimi i politikës. Dialogu mund të jetë i gjerë apo specifik. Dialogu i gjerë nuk është i lidhur me ndonjë proces specifik të zhvillimit të politikave, por mbetet i përgjithshëm dhe kryesisht synon përcaktimin e agjendës. Dialogu specifik ndërtohet në interesa të përbashkëta për zhvillim të një politike të caktuar, ndërsa rezulton me rekomandime dhe veprime konkrete.
7. Çfarë është Partneriteti?
Partneriteti nënkupton përgjegjësi të përbashkëta në secilin hap të procesit të vendimmarrjes politike në mes të autoriteteve publike dhe OShC-ve, duke filluar nga caktimi i agjendës, draftimi, vendimi dhe zbatimi i ndonjë nisme të politikave. Kjo është edhe forma më e lartë e pjesëmarrjes. Në këtë nivel OShC-të dhe autoritetet publike nisin një bashkëpunim të ngushtë, por duke u siguruar që në të njejtën kohë OShC-të të vazhdojnë të mbesin të pavarura dhe të kenë të drejtën e fushatave dhe veprimeve pavarësisht nga situata e partneritetit.
8. A kanë obligim institucionet publike në Kosovë që të përfshijnë qytetarët dhe OShC – të në punën e tyre?
Të gjitha institucionet publike në Kosovë e kanë obligim kushtetues që të përfshijnë qytetarët në punën e tyre, qoftë në hartim apo zbatim të politikave dhe programeve të tyre. Obligimet më të mëdha i ka niveli komunal, ku secila komunë duhet t’i njoftojë qytetarët mbi “planet ose programet e rëndësishme për interesin publik”. Qytetarët e një komune kanë të drejtë për të marrë pjesë në aktivitetet e komunës përkatëse, për të drejtën e peticionit, iniciativës qytetare, referendumit lokal, ndërsa komunat obligohen që të themelojnë komitete konsultative brenda sektorëve, në të cilat duhet të ftohen edhe përfaqësues të OShC-ve. Në nivelin qeveritar, të gjitha aktet qeveritare (përveç vendimeve me karakter administrativ) duhet që paraprakisht të konsultohen me publikun, ndërsa qeveria obligohet që të ofrojë informata të mjaftueshme rreth dokumentit që konsultohet, kohë të mjaftueshme për kontribut, si dhe të raportojë për rezultatet e konsultimit. Për të gjitha ligjet që aprovohen nga Kuvendi i Kosovës mund të organizohen dëgjime publike, ndërsa OShC-të mund të marrin pjesë edhe në takimet e komisioneve parlamentare.
9. Çfarë kuptojmë me vullnetarizëm?
Vullnetarizmin mund ta definojmë si praktikë të punës së njerëzve, të cilët punojnë për të tjerët apo për një të mirë të përbashkët pa qenë të motivuar nga përfitimet financiare apo materiale. Vullnetarizmi kryesisht lidhet me një veprimtari altruiste, që ka për qëllim promovimin e cilësisë më të lartë jetësore për njerëzit. Po ashtu, puna vullnetare ndihmon njerëzit që të fitojnë shkathtësi praktike për punën që bëjnë.