1. Çka nënkuptojmë me legjislacionin për shoqëri civile?

Meqenëse karakteristikë kryesore e sektorit civil është parimi i mosshpërndarjes së fitmit, korniza ligjore që përcakton parimet rregullative të këtij sektori zakonisht njihet me termin “e drejta e sektorit jo për përfitim”.

Organizatat e shoqërisë civile veprojnë në pajtueshmëri me rendin juridik dhe kornizën ligjore të aplikueshme në vendin në të cilin ato veprojnë, sikurse edhe me parimet e së drejtës ndërkombëtare. Në nivelin ndërkombëtar janë disa dokumente që i përcaktojnë parimet kryesore të së drejtës së sektorit jo për përfitim, duke filluar nga Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut, Konventa Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike, Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut, Rekomandimi CM/Rec(2007)14 i Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës për shtetet anëtare rreth statusit ligjor të organizatave joqeveritare në Europë, etj. Legjislacioni kombëtar duhet të jetë në përputhje me parimet e këtyre dokumenteve ndërkombëtare.

2. Cila është baza ligjore për shoqërinë civile në Kosovë?

E drejta dhe liria e asociimit është kategori kushtetuese në Kosovë, dhe për ta gëzuar këtë të drejtë regjistrimi nuk është i obligueshëm. Duke u nisur nga fakti që shumica e OShC-ve në Kosovë janë të regjistruara si OJQ, do t’i referohemi Ligjit nr.06/L- 043 për Liri të Asociimit në OJQ, si baza kryesore ligjore për shoqërinë civile. Ky ligj përfshin elementet bazë të funksionimit të OJQ-ve, duke filluar nga regjistrimi, organizimi i brendshëm, statusi për përfitim publik dhe shuarja e OJQ-së.

Ligjet e tjera të rëndësishme të cilat prekin sektorin e shoqërisë civile janë ligjet që rregullojnë çështjet fiskale, përkatëisht obligimet tatimore dhe të doganës: Ligji për Tatim në të Ardhura Personale, Ligji për Tatim në të Ardhura të Korporatës, Ligji për TVSH, si dhe ligjet dhe rregulloret që e përcaktojnë mënyrën e punës së institucioneve me të cilat OshC-të ndërveprojnë: Rregullorja e Punës e Kuvendit të Kosovës, Rregullorja e Punës e Qeverisë së Kosovës, Ligji për Vetëqeverisje Lokale dhe Statutet e Komunave, Ligji për Qasje në Dokumente Publike, Ligji për Nisma Legjislative, etj.

3. Çfarë është liria e asociimit?

Liria e asociimit është e drejtë themelore e njeriut, e garantuar nga Deklarata Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut dhe konventa të tjera ndërkombëtare dhe europiane për të drejtat dhe liritë e njeriut. Liria e asociimit nënkupton të drejtën e secilit person për themeluar një organizatë me qëllim të promovimit, adresimit dhe mbrojtjes së interesave të përbashkëta të grupit pa pasur nevojë për leje të vençantë. Liria e asociimit garantohet edhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e cila në nenin 44 përcakton që: “Liria e asociimit ngërthen të drejtën e secilit për të themeluar një organizatë pa pasur nevojë të sigurojë leje, për të qenë apo për të mos qenë anëtar i një organizate, si dhe për të marrë pjesë në aktivitetet e një organizate”

4. Çfarë trajton Ligji për Liri të Asociimit në OJQ?

Ligji për Liri të Asociimit në OJQ trajton elementet kryesore të themelimit, organizimit, qeverisjes së brendshme, çregjistrimit dhe shuarjes së OJQ-ve, si dhe elementet kryesore të Statusit për Përfitim Publik.

5. Kush është organi përgjegjës për zbatimin e Ligjit për Liri të Asociimit në OJQ?

Organi përgjegjës për zbatimin e Ligjit për Liri të Asociimit në OJQ është Departamenti për Regjistrim dhe Ndërlidhje me OJQ (DRNOJQ), në kuadër të Ministrisë së Administratës Publike.

6. Cilat janë obligimet e OJQ-ve ndaj DRNOJQ – së?

Secila OJQ është e obliguar që të informon Departamentin brenda afatit prej tridhjetë (30) ditë nga dita e ndryshimit informatave në lidhje me emrin e plotë tw organizatws apo shkurtesën, adresën, qëllimin dhe fushë-veprimtarinë e OJQ-së dhe informatat tjera kontaktuese të përfaqësuesit të autorizuar të OJQ-së.

7. Çka nënkuptojmë me Statusin për Përfitim Publik?

Statusi për Përfitim Publik është një koncept, i cili ka të bëjë me organizatat e shoqërisë civile të cilat misionin ose veprimtaritë e tyre i zhvillojnë për të mirën e përgjithshme të publikut, ose një grupi të caktuar e që është me interes të përgjithshëm publik. Ky koncept nënkupton që organizatat e tilla ofrojnë shërbime ose kryejnë punë të cilat përndryshe janë obligim i shtetit. Për këtë arsye shteti u ofron këtyre organizatave lehtësira të ndryshme, kryesisht tatimore, me qëllim të inkurajimit dhe përkrahjes së punës së tyre. Në anën tjetër, meqenëse gëzojnë lehtësira të ndryshme nga shteti, këto organizata marrin obligime shtesë të raportimit dhe llogaridhënies ndaj publikut, respektivisht ndaj shfrytëzimit të lehtësirave ose fondeve publike.

8. Si mund të merret Statusi për Përfitim Publik në Kosovë?

Në Kosovë, Statusi për Përfitim Publik mund të merret qysh në momentin e regjistrimit, apo edhe më vonë gjatë funksionimit të organizatës. OJQ-ja mund të aplikojë online për Status për Përfitim Publik, përmes sistemit elektronik të OJQ-ve, nëse aktivitetet parësore të OJQ-së janë njëra ose disa nga aktivitetet që konsiderohen për përfitim publik. Ky status është i përvjetshëm dhe për të vazhduar mbajtjen e këtij statusi, organizata duhet që t’i kryejë me sukses obligimet që dalin nga mbajtja e këtij statusi.

9. Cilat lloje të aktiviteteve konsiderohen për përfitim publik?

Bazuar në nenin 37, paragrafi 1, të Ligjit për Liri të Asociimit në OJQ, për të marrë Statusin për Përfitim Publik, OJQ-ja duhet të ketë si aktivitet parësor një apo më shumë nga aktivitetet në vijim: ndihmë dhe përkrahje humanitare, përkrahje personave me aftësi të kufizuara, aktivitete bamirëse, arsim, shëndetësi, kulturë, rini, sport, ruajtje dhe përparim të mjedisit, rindërtim dhe zhvillim ekonomik, mbrojtje dhe përparim të të drejtave të njeriut, mbështetje të praktikave demokratike dhe shoqërisë civile, apo çfarëdo veprimtarie tjetër që është në funksion të së mirës së publikut. Kjo listë nuk është e mbyllur, respektivisht ka mundësi që të zgjerohet edhe me veprimtari të tjera, të cilat konsiderohen që janë në të mirë të publikut. Megjithatë, interpretimi i mundësisë për zgjerim të kësaj liste është kompetencë vetëm e DRNOJQ-së. Gjithashtu, është me rëndësi të dallohen veprimtaritë arsimore dhe shëndetësore, të cilat për t’u konsideruar si veprimtari për të mirën e publikut duhet që të ofrohen falas ose më lirë sesa vlera reale e tregut dhe madje për individë ose grupe në kushte të pavolitshme. Ngjashëm, veprimtaritë për zhvillim ekonomik mund të konsiderohen si veprimtari për të mirën e publikut vetëm nëse ndërmerren në radhë të parë për të mirën e individëve ose grupeve me kushte të pavolitshme. Ky dallim ka të bëjë me parandalimin e konkurrencës jo të drejtë që mund të bëhet në emër të lirimit nga taksat për këto fusha specifike.

10. Cilat janë përfitimet e organizatave me Status për Përfitim Publik?

Në Kosovë, qysh nga viti 2004, lehtësimet dhe përfitimet e organizatave me Status për Përfitim Publik janë gati se inekzistente. Ligji për Liri të Asociimit në OJQ parasheh që organizatat me Status për Përfitim Publik të gëzojnë të drejtën për lirim nga tatimi dhe lehtësi tatimore dhe fiskale, me përjashtim të atyre që në esencë janë detyrime për shërbimet publike komunale. Megjithatë, këto lirime dhe lehtësira tatimore duhet të përcaktohen dhe operacionalizohen saktë me ligjet tjera në fuqi që janë specifike, si p.sh. Ligji për TVSH, Ligji për Tatimin në të ardhura personale, Ligji për Tatimin në të ardhurat e korporatave, etj. Këto ligje ofrojnë një numër shumë të kufizuar të lehtësirave tatimore. Konkretisht mundësohet lirimi nga tatimi në të ardhura të korporatave, me kusht që të ardhurat të shfrytëzohen vetëm për qëllime të përfitimit publik; lirimi nga tatimi në pronë të paluajtshme, përveç kur kjo pronë shfrytëzohet për veprimtari komerciale ose krijim të fitimit. Gjithashtu, lirimi nga tatimi në të ardhura personale dhe të korporatave mundësohet për subjektet private që kontribuojnë për qëllime humanitare, shëndetësore, arsimore, fetare, shkencore, kulturore, të mbrojtjes së ambientit dhe sportive, lejohen si zbritje me vlerë maksimale prej pesë për qind (5%) të të ardhurave të tatueshme të llogaritura përpara se të jetë zbritur ky kontribut, me kusht që pranuesi të jetë OJQ me Status të Përfitimit Publik.

11. Cilat janë obligimet e organizatave me Status për Përfitim Publik në Kosovë?

Në bazë të Ligjit për Liri të Asociimit në OJQ, organizatat të cilat kanë Statusin për Përfitim Publik u nënshtrohen disa obligimeve shtesë për raportim në DRNOJQ. Organizatat me Status për Përfitim Publik duhet që t’i dorëzojnë DRNOJQ-së raport vjetor financiar dhe të aktiviteteve të organizatës. Raporti duhet të dërgohet më së voni deri më 31 mars të vitit pasues. Po ashtu, organizatat me Status për Përfitim Publik me të hyra ose shpenzime vjetore mbi 100.000 euro duhet ta dorëzojnë në DRNOJQ edhe raportin e auditimit financiar për vitin paraprak, i certifikuar nga një auditor i pavarur.

12. Si ta regjistroj OJQ – në?

Regjistrimi i OJQ-së bëhet vetëm online, përmes web-faqes së Departamentit për OJQ, ku përfshihen të gjitha informatat mbi procesin e aplikimit. Të gjitha dokumentet e kërkuara për regjistrim (aktin e themelimit dhe statutin, si dhe caktojnë një përfaqësues të autorizuar), përfshi informatat personale të themeluesve të OJQ-së, duhet të shtohen në Sistemin Elektronik të Organizatave Joqeveritare. Departamenti për OJQ  do t’i shqyrtoj të gjitha dokumentet në emër të organizatës dhe duhet të lëshojë certifikatën e regjistrimit në një afat prej më së shumti 30 ditësh, përveç nëse kërkohen dokumente shtesë apo refuzohet me shkrim regjistrimi. Varësisht nëse OJQ-ja regjistrohet si shoqatë, fondacion apo institut, numri i themeluesve dhe struktura e qeverisjes dallojnë. Shoqata mund të themelohet nga të paktën 3 (tre) persona ose më shumë persona, ku të paktën njëri prej tyre ka vendbanimin ose zyrën në Kosovë. Fondacioni dhe Instituti mund të themelohen nga një apo më shumë persona. Fondacioni, gjithashtu mund të themelohet nëpërmjet testamentit ose lënies së trashëgimisë.

13. Cili është dallimi në mes të shoqatës, fondacionit dhe institutit?

Shoqatat janë organizata të anëtarësisë,  fondacionet themelohen për të menaxhuar një pasuri ose fond, dhe si të tilla nuk kanë anëtarë, instituti është organizatë pa anëtarësi, themelohen për realizimin e qëllimeve të ligjshme për përfitim publik ose për interes të ndërsjellë.  Organi më i lartë drejtues i shoqatës është Kuvendi i Anëtarëve, i cili duhet të takohet të paktën një herë në vit. Në Kuvendin e Anëtarëve përfaqësohen të gjithë anëtarët e OshC-së (ose me nga një anëtar të gjitha organizatat anëtare, në rastet kur shoqata është rrjet i disa organizatave). Organi më i lartë drejtues i fondacionit dhe institutit është Bordi i Drejtorëve, i cili duhet të takohet të paktën një herë në vit. Bordin e Drejtorëve e cakton themeluesi i fondacionit/institutit (vetëm përbërjen e parë), ndërsa në vazhdim anëtarët e Bordit zgjidhen nga vetë Bordi.