KCSF ZGJERON MBËSHTETJEN NDAJ GRANTISTËSVE TË ZYRËS SË BE-SË MBI QEVERISJEN E BRENDSHME

Duke thelluar mbështetjen e saj ndaj OSHC-ve me bazë në komunitet, KCSF mbajti trajnimin 3-ditor “Qeverisja e brendshme për organizatat e shoqërisë civile”. Ky aktivitet përcolli dije thelbësore mbi mirëfunksionimin e qëndrueshëm të sektorit jofitimprurës në Kosovë.

Gjatë datave 18-20 tetor 2017, 22 përfaqësues të OSHC-ve me bazë në komunitet, grantistë të Zyrës së BE-së në Kosovë, morën njohuri dhe aftësi thelbësore për mirëfunksionimin e një OSHC-je përmes zbatimit të legjislacionit dhe dokumenteve të tjera të brendshme, si dhe ofroi njohuri për parimet e menaxhimit financiar.

Ky është trajnimi i dytë i këtij lloji, pjesë e një sërë trajnimesh që KCSF ka organizuar për grantistët e kësaj skeme, duke synuar fuqizimin e këtyre organizatave dhe forcimin e efekteve të tyre mbi komunitetet përkatëse.

Pjesëmarrësit morën njohuri mbi parimet dhe funksionimin e sektorit të shoqërisë civile në përgjithësi, përmes shembujve praktikë dhe shkëmbimit të përvojave.

Gjatë trajnimit u diskutuan strukturat e brendshme dhe roli i tyre në varësi të tipit të organizatës, legjislacioni i aplikueshëm dhe parimet e menaxhimit financiar në shoqëri civile. Për të mundësuar njohje mbi organizimin sa më të mirë të brendshëm e funksionim të mirëfilltë të OSHC-ve, u shtjelluan në detaje dokumentet e brendshme të organizatave dhe masat e nivelet e llogaridhënies.

Ky sesion u ndërtua mbi nevojat e organizatave pjesëmarrëse në trajnim, dhe për të vënë në praktikë dhe për të vlerësuar njohuritë e fituara, të pranishmit morën pjesë në punime grupore.