OSHC-TË TRAJNOHEN PËR MARRËDHËNIET ME PUBLIKUN DHE MEDIAN NË KUADËR TË PROJEKTIT TACSO

Mbi kërkesën e Asistencës Teknike për Organizatat e Shoqërisë Civile (TACSO), Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) mbajti një trajnim me temë “Marrëdhëniet me publikun dhe mediat”.

Trajnimi i mbajtur në datat 23-25 maj 2017, pati si qëllim rritjen e vetëdijes institucionale të organizatave të shoqërisë civile, si dhe asaj individuale të përfaqësuesve të OSHC-ve, kundrejt kësaj çështjeje, si dhe aftësimin e tyre për komunikim të efektshëm.

Në kuadër të trajnimit u shtjellua nocioni “marrëdhënie me opinionin”, pjesë teorike në të cilën u shpjeguan elementet kryesore të këtij nocioni. Fokus i veçantë iu kushtua elementeve përbërëse të procesit të komunikimit, ilustruar me shembuj praktikë.

Po ashtu, u diskutua rreth mjeteve kryesore, të cilat përdoren në procesin e marrëdhënieve me opinionin. Tutje, u diskutua detajisht sistemi për marrëdhënie me opinionin në organizatë, duke filluar me atë se çka përmban ky sistem, cilat janë proceset dhe bartësit e këtyre proceseve, harta e këtij sistemi e deri te matja e efikasitetit të aktiviteteve të marrëdhënieve me publikun.

Trajnimi u përmbyll me diskutimin rreth planeve të veprimit dhe strategjive të komunikimit të një organizate, duke trajtuar rëndësinë e tyre dhe procesin e përpilimit të këtyre dokumenteve. U shtjelluan edhe fazat e planifikimit të komunikimit, hulumtimet dhe taktikat që përdoren në këto procese e deri te struktura dhe përmbajtja e planeve dhe strategjive të komunikimit.