Lulëzim Peci ishte Drejtor Ekzekutiv i KCSF-së në vitet 1999 – 2003, duke marrë udhëheqjen e organizatës në periudhën menjëherë pas përfundimit të luftës së Kosovës në qershor 1999.
Bashkë me Agon Demjahën dhe Steven Sampson, Lulëzimi ishte një nga tre personat që e regjistruan organizatën më 2 dhjetor 1999, ndërsa e udhëhoqi në fillimin e punës intenzive në përkrahje të sektorit jo-qeveritar. Ishtë kjo periudha kur OJQ-të u shndërruan në kanalin më të rëndësishëm vendor për përkrahjen ndërkombëtare për tejkalimin e emergjencës dhe rindërtimin, ndërsa KCSF u identifikua dhe u përkrah nga Bashkimi Europian si organizata kryesore vendore për t’i menaxhuar fondet e BE-së për shoqëri civile në Kosovë. Gjatë periudhës së udhëheqjes së tij, me ndihmën e BE-së KCSF kishte krijuar mekanizma të zhvilluara të ndarjes së granteve dhe kishte shpërndarë mbi 2 milionë euro nëpërmjet më shumë se 200 granteve për organizata jo-qeveritare në Kosovë. Gjithashtu, KCSF kishte filluar studimet dhe botimet e para rreth shoqërisë civile në Kosovë, programin e trajnimeve bazë për OJQ, si dhe shpërndarjen e mbi 400 bursave për nxënës e studentë të komunitetit Rom, Ashkali dhe Egjiptian.
Lulzimi u largua nga KCSF në nëntor të vitit 2003, kur udhëhoqi procesin e “spin-off” të një programi të KCSF-së, duke themeluar Institutin Kosovar për Hulumtim dhe Zhvillim të Politikave KIPRED dhe duke u bërë Drejtori Ekzekutiv i parë i KIPRED.
I diplomuar në Inxhinieri Elektrike në Universitetin e Prishtinës, Lulëzimi mban titullin MA në Marrëdhënie Ndërkombëtare nga Universiteti Institue Ortega y Gasset në Spanjë, si dhe titullin PhD në Shkenca Politike nga Universiteti i Europës Juglindore në Maqedoninë e Veriut.
Para angazhimit në KCSF, në vitet 1995-1998 ka shërbyer si Hulumtues në Qendrën e Kosovës për Studime Ndërkombëtare (KCIS), qendrë kjo që shërbente si ekip i politikës së jashtme pranë Zyrës së Presidentit të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova. Gjatë viteve 2009-2013 ka shërbyer si Ambasador i Kosovës në Suedi, ndërsa ka shërbyer edhe si Anëtar i Bordit të Drejtorëve të Universitetit Amerikan në Kosovë, Ligjerues vizitor në Qendrën e Gjenevës për Politika të Sigurisë GCSP, ligjërues në lëndën e Sigurisë Kombëtare dhe Ndërkombëtare në Universitetin e Prizrenit, si dhe Kryesues i Bordit të Drejtorëve të Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur KFOS. Ka botuar më shumë se 70 punime dhe artikuj në Kosovë, Britani të Madhe, Holandë, Greqi, Zvicër, Austri, Gjermani dhe Singapur.
Aktualisht është Drejtor Ekzekutiv në KIPRED, ndërsa vazhdon angazhimin hulumtues me fokus në politikat e sigurisë dhe të jashtme, marrëdhëniet ndër-etnike, si dhe partitë politike.