Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP), përkrahur nga Agjencia Zvicerane për Bashkëpunim dhe Zhvillim dhe Ministria e Jashtme e Danimarkës, me buxhet të përgjithshëm 5,8 milionë euro dhe rreth 1 milion euro në vit për grante, është një ndër skemat më të mëdha që përkrah organizatat e shoqërisë civile me qëllim zhvillimin e shoqërisë demokratike në Kosovë.
Me objektiva kryesore rritjen e aktivizmit qytetar në kërkim të qeverisjes së mirë, shërbimeve të cilësisë së lartë dhe integrimit të komuniteteve jo shumicë, nga viti 2014 deri sot, DSP ka përkrahur në total 34 grante për projekte dhe 24 grante institucionale, në vlerë mbi 3.5 milionë euro.
Organizatat a përkrahura zbatojnë projekte në fushën e arsimit, sigurisë, ambientit, shëndetësisë, barazisë gjinore, integrimit të komuniteteve joshumicë, qeverisjes lokale, llogaridhënies dhe transparencës ndër të tjera.
Përgjatë zbatimit të projekteve përmes përkrahjes së DSP-së organizatat përfituese kanë ndërtuar partneritete me institucionet në nivelin qendror dhe lokal duke bashkëpunuar në përpilimin e strategjive dhe planeve të veprimit, zbatimin e politikave si dhe avokim me qëllim të përfshirjes së zërit të qytetarëve në vendimmarrje.
Gjithashtu, shumë organizata përfituese janë angazhuar në monitorimin e punës së kuvendit si dhe asambleve komunale që ka rezultuar jo vetëm në përmirësimin e llogaridhënies por edhe në informimin e qytetarëve për punën e institucioneve, të cilat i përfaqësojnë ata dhe ngritjen e kërkesës për shërbime më cilësore.
Përderisa thirrja për grante për projekte vazhdon të jetë e hapur, në qershor DSP shpalli thirrjen e fundit për grante institucionale ku nga 39 aplikantë, gjashtë organizata u përzgjodhën për përkrahje. Përkrahja institucionale u ka ndihmuar organizatave përfituese në ngritjen e kapaciteteve të brendshme në fusha si menaxhim i projekteve, menaxhim financiar dhe planifikim strategjik. Po ashtu, shumë organizata e kanë përmirësuar qeverisjen e brendshme përmes mentorimit të ofruar për përpilimin e dokumenteve të brendshme.
Reflektim i nevojës dhe mungesës së intervenimit në fushën e menaxhimit të mbeturinave DSP iu përgjigj me shpalljen e thirrjes të dizajnuar enkas për këtë fushë. Në këtë temë u përzgjodhën dy projekte të cilat adresojnë ambientin: njëri projekt adreson grumbullimin e mbeturinave në fshatrat e Pejës, ndërsa projekti tjetër synon ngritjen e vetëdijes për menaxhimin me mbeturinat medicinale dhe avokon në përmirësimin e infrastrukturës ligjore në këtë fushë.
Instrument tjetër i rëndësishëm i skemës, i përdorur për here të parë gjatë vitit 2017, janë grantet ‘ad-hoc’ të cilat janë dizajnuar për raste të jashtëzakonshme ku nevojitet reagim i shpejtë i sektorit. Shpallja e zgjedhjeve qendrore në qershor ishte një rast i tillë, ku nevojitej reagim i shpejtë dhe si rezultat, është përkrahur Demokracia në Veprim për monitorim të zgjedhjeve dhe BIRN për organizimin e debateve tematike me partitë politike.