PUBLIKOHET INDEKSI KOSOVAR I SHOQËRISË CIVILE 2018

Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) publikoi Indeksin Kosovar të Shoqërisë Civile 2018. Ky studim tregon që përkundër një situate të vështirë politike dhe ekonomike në Kosovë, shoqëria civile ka arritur që të mbetet një faktor shumë i rëndësishëm në demokratizimin e vendit.

Më shumë qytetarë janë angazhuar në shoqëri civile krahasuar me të kaluarën, qoftë si anëtarë apo duke bërë punë vullnetare. Gjithashtu, për shumë vite me radhë tashmë shoqëria civile vazhdon të jetë ndër sektorët më të besueshëm në Kosovë, së bashku me institucionet e sigurisë. Megjithatë, në përgjithësi apatia qytetare vazhdon dhe numri i atyre që angazhohen në këtë sektor mbetet i ulët, ndërsa shoqëria civile nuk po arrin që të komunikojë e përfshijë sa duhet qytetarët në punën e vet.

Në anën tjetër, krizat e njëpasnjëshme politike dhe polarizimi i skajshëm i skenës politike në Kosovë, së bashku me fokusin e plotë të institucioneve kryesore në tema madhore si demarkacioni ose dialogu me Serbinë duket që kanë ndikuar edhe në shoqëri civile. Angazhimi i këtij sektori në politika publike ka rënë dukshëm, qoftë në raport me ftesat nga institucionet publike apo me nismat e vet sektorit. Në përgjithësi, organizatat e konsoliduara vazhdojnë të jenë aktive edhe në politikëbërje, por një pjesë shumë e madhe e sektorit nuk përfshihen në këtë proces, qoftë në nivelin lokal apo qendror.

Trendi i financimit në shoqëri civile është në rënie në krahasim me dy vite më parë, në të gjithë indikatorët që e mbulojnë këtë fushë, përveç fondeve publike. Gati se gjysma e organizatave aktive nuk kanë fonde aspak, ndërsa qereku tjetër kanë qarkullim vjetor shumë të ulët, vetëm disa mijëra euro në vit. Këto përqindje janë përkeqësuar në raport me dy vite më parë. Donatorët e huaj vazhdojnë të jenë burimi kryesor i financimit, edhe pse fondet e tyre u ndahen një numri më të vogël të organizatave krahasuar me dy vite më parë. Në anën tjetër, është rritur financimi nga fondet publike, sidomos numri i organizatave që kanë përfituar fonde nga institucionet publike.

Edhe pse opinioni publik shoqërinë civile kryesisht e identifikon nëpërmjet organizatave të mëdha dhe me shumë fonde e të punësuar, studimi tregon që një numër i madh i organizatave punojnë në baza tërësisht vullnetare, ndërsa numri i vullnetarëve të angazhuar në sektor është disafish më i lartë si numri i të punësuarëve.

Indeksi Kosovar për Shoqëri Civile 2018 identifikon edhe problemet me të cilat ballafaqohet sektori, disa nga të cilat janë zvogëlimi i fondeve të huaja për organizata të shoqërisë civile, por edhe mungesa e transparencës së mjaftueshme të ndarjes së fondeve publike; mungesa e mekanizmave funksional për lehtësira tatimore për OShC; dominimi i financimit për projekte afat shkurta, rrjedhimisht pamundësia e planifikimit për një kohë më të gjatë, dhe intervenime më komplekse e strategjike; koncentrimi i madh i organizatave të shoqërisë civile në Prishtinë dhe qendra tjera të mëdha urbane në Kosovë, etj.

Indeksi Kosovar i Shoqërisë Civile është një studim i rregullt i KCSF-së që në baza periodike e vlerëson gjendjen e shoqërisë civile në Kosovë, duke matur dimensionet kryesore të këtij sektori, siç janë: struktura e sektorit, korniza ligjore, qeverisja dhe kapacitetet e brendshme, angazhimi qytetar, financimi, ndikimi i perceptuar dhe ambienti i jashtëm për veprimtari të shoqërisë civile. Ky studim, që është i vetmi gjithëpërfshirës për këtë sektor në Kosovë, botohet çdo dy vite. Edicioni i vitit 2018 është përkrahur nga Agjencia Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë (SDC), nëpërmjet projektit Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP).

DISA NGA GJETJET KRYESORE TË INDEKSIT KOSOVAR TË SHOQËRISË CIVILE 2018


Në Kosovë të regjistruara janë më shumë se 9,500 organizata të shoqërisë civile, prej të cilave 1,943 klube sportive apo federata të sportit. Numri i organizatave të cilat kanë pasur ndonjë aktivitet financiar apo të punësuar gjatë vitit 2017 llogaritet të jetë rreth 1,000. Shumica e sektorit përbëhet nga OShC të vogla, si në kuptim të fondeve ashtu edhe të stafit. Sektori dominohet nga OShC-të me qendër në Prishtinë apo qytetet e mëdha të Kosovës.

Gati gjysma e OShC-ve në Kosovë veprojnë pa fonde fare (46%), deri sa pjesa më e madhe e OShC-ve operojnë me më pak se 10,000 EUR në vit (23%). Përkundër që shumica e OShC-ve kanë pak ose aspak fonde dhe numër të vogël të të punësuarve, megjithatë shoqëria civile punëson në radhët e veta një numër të konsiderushëm të stafit. Më konkretisht, të dhënat e Administratës Tatimore të Kosovës tregojnë për 8,453 të punësuar në gjithsej 816 OJQ. Poashtu, OShC-të përbëjnë 3.25% të numrit të përgjithshëm të kontribuesve aktiv në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës. Megjithatë, të dhënat tregojnë që puna në këtë sektor nuk është stabile, pasiqë vetëm rreth 3,500 persona konsiderohen si të punësuar në OShC përgjatë 12 muajve të vitit (pandërpre).

Shoqëria civile ka përbërje gjinore përgjithësisht të balancuar, me dallime shumë të mëdha me sektorin publik dhe atë privat. Të dhënat janë të ngjashme me ato të para dy viteve, duke e dëshmuar që kjo gjendje është stabile. Konkretisht, përderisa edhe të dhënat e Anketës së Fuqisë Punëtore edhe ato të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës tregojnë se në përgjithësi në Kosovë gratë nuk e arrijnë as 1/3 e numrit të të punësuarve, në organizata të shoqërisë civile raporti është gati se i barabartë, me një dominim të lehtë të burrave (53% me 47%). Poashtu, edhe anëtarësia në organizata të shoqërisë civile është e baraspeshuar në aspektin gjinor, krahasuar me parti politike, ku vërehet një numër, gati, trefish më i madh i burrave në raport me gra.

Donatorët e huaj vazhdojnë të jenë financuesit kryesor të shoqërisë civile, megjithatë me një rënie të dukshme krahasuar me vitin e kaluar. Më konkretisht, donatorët e huaj i ndajnë fondet e tyre te një grup më i vogël i organizatave (22.8%) në krahasim me para dy vitesh (38.6%). Në anën tjetër, trend i kundërt vërehet tek fondet publike, ku gjatë vitit 2017 më shumë organizata kanë marrë fonde publike (33.6%) krahasuar me vitin 2015 ku vetëm 27.7% e OShC-ve patën përfituar fonde publike. Vlen të theksohet se shumica dërrmuese e granteve nga fondet publike nuk e kalojnë totalin prej 10,000 EUR (90%). Poashtu, shumica e granteve nga fondet publike vijnë nga niveli qendror (61.8%), dhe rreth 38.2% nga komunat. Burimet tjera të financimit, si donacione nga kompanitë private, shitja e mallrave dhe shërbimeve, apo të hyra nga tarifat e anëtarësisë mbesin relativisht të ulëta.

Vetëm rreth 5% e organizatave janë ftuar rregullisht për konsultim publik, dhe 21.8% janë ftuar kohë pas kohe, qoftë nga niveli qendror apo lokal. Përqindje këto dukshëm më të ulëta krahasuar më të dhënat e vitit 2015. Në përgjithësi, ndikimi i organizatave të shoqërisë civile në vendimmarrje mbetet i kufizuar.

Për dallim nga vitet e kaluara, vërehet një rritje e pjesëmarrjes së qytetarëve në organizata të shoqërisë civile, ku rreth 11.5% e qyetarëve janë anëtarë të së paku një organizate, krahasuar me të dhënat e vitit 2015 ku vetëm 2.9% e qytetarëve patën deklaruar një gjë të tillë. Poashtu, ka rritje të numrit të qytetarëve që bëjnë pune vullnetare për OShC – nga 3.8% sa ka qenë në vitin 2015, në 15.2%. Megjithatë, besimi ndërmjet qytetarëve mbetet i ulët ndër vite, ku vetëm 11.7% të qytetarëve mendojnë që shumicës së njerëzve mund t’ju besohet.