QEVERIA E LUKSEMBURGUT JEP 2 MILIONË EURO PËRKRAHJE PËRMES FONDACIONIT KOSOVAR PËR SHOQËRI CIVILE

Qeveria e Luksemburgut ka dhënë 2 milionë euro për të përkrahur shoqërinë civile në Kosovë përmes Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF). Marrëveshja, e cila përcakton modalitetet e bashkëpunimit për një periudhë prej katër (vitesh) u nënshkrua në muajin mars 2017 ndërmjet Qeverisë së Dukatit të Madh të Luksemburgut dhe KCSF.

Një sërë sfidash aktuale për Kosovën janë adresuar në këtë bashkëpunim, përmes mbështetjes financiare për organizatat e shoqërisë civile, për t’i hapur rrugën përfshirjes dhe kontributit të tyre në fushat dhe çështjet prioritare.

Nismat për integrimin social për të parandaluar radikalizmin në vend, me fokus te rinia, kanë marrë vëmendje të veçantë brenda shtrirjes së këtij bashkëpunimi. Gjithashtu, raportimi i drejtë në gazetari dhe liria e shtypit janë një nga temat kryesore të mbështetjes. Kjo mbështetje parasheh edhe fuqizimin e shoqatave profesionale për të përmirësuar kontributin e tyre në hartimin e politikave publike dhe pjesëmarrjen në proceset vendimmarrëse. Programi do të mbështesë organizata të shoqërisë civile të cilat paraqesin ide bindëse që kontribuojnë në adresimin e këtyre prioriteteve. Roli i grave, barazia gjinore, si dhe integrimi i minoriteteve do të mbështetet dhe promovohet sistematikisht në të gjitha aktivitetet e ndërmarra.

Ambasada e Luksemburgut në Prishtinë e mirëpriti këtë bashkëpunim me KCSF-në.  “Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile është një nga aktorët kryesorë në fuqizimin dhe financimin e shoqërisë civile në Kosovë, dhe ne kemi besim se programi do të rrisë pjesëmarrjen qytetare dhe do të kontribuojë në një shoqërie civile më proaktive”, tha Anne Dostert, e ngarkuar me punë (Chargée d’affaires) e ambasadës.

Venera Hajrullahu, Drejtore Ekzekutive e KCSF, tha se kjo mbështetjeje është e një rëndësie madhore për t’iu përgjigjur prioriteteve aktuale të Kosovës. “Fondacioni do të ndërtojë mbi vullnetin dhe përvojat e tij të suksesshme për të krijuar kushtet për nisma me impakt të ndjeshëm ndaj këtyre sfidave nga organizatat e shoqërisë civile”, tha ajo.

Kjo marrëveshje është pjesë e Programit për bashkëpunim zhvillimor të Luksemburgut 2017-2020, i cili bazohet në marrëveshjen dypalëshe dhe Memorandumin e mirëkuptimit nënshkruar në tetor të vitit 2016 ndërmjet qeverive të Kosovës dhe Luksemburgut.