PËRKRAHJA E DANIDA-SË NË PROMOVIMIN E SHOQËRISË DEMOKRATIKE

Zhvillimi demokratik i secilit shtet përfshinë si ndërtimin e institucioneve, ashtu edhe zhvillimin e qytetarisë aktive. Qytetaria aktive mundëson zhvillimin e demokracisë transparente, llogaridhënëse dhe gjithëpërfshirëse. Duke kërkuar sa më shumë qeverisje të mirë, mbikëqyrje dhe gjithëpërfshirje shoqërore, vetëm një qytetari që ushtron të drejtat dhe fuqitë e saj demokratike, mund të shtyjë qeverinë që të veprojë në mënyrë më demokratike e gjithëpërfshirëse.

Duke pasur parasysh rolin e rëndësishëm të shoqërisë civile në procesin e demokratizimit të vendit, Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë (SCO-K) më 2011 filloi përkrahjen e projektit të Promovimit të Shoqërisë Demokratike (DSP). Ky projekt, i zbatuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile, ofron përkrahje financiare për programe, projekte, nisma ose aktivitete të shoqërisë civile që kontribuojnë në ndryshime të dukshme në shoqëri, në nivelin lokal dhe qendror.

Në vitin 2014 filloi zbatimi i fazës së dytë të kësaj skeme, ndërsa që nga fillimi i vitit 2016, Ministria e Punëve të Jashtme të Danimarkës (DANIDA) iu bashkua skemës duke ndarë 2 milionë euro. Përkrahja e DANIDA-së është e fokusar në mbështetjen e projekteve dhe programeve të organizatave të shoqërisë civile në kuadër të objektivës së parë që synon që qytetarët e Kosovës dhe organizatat e shoqërisë civile të rrisin kërkesën ndaj institucioneve dhe të marrin rol aktiv në kërkim të shërbimeve të cilësisë së lartë, qeverisjes së mirë dhe integrimit të pakicave.

Me shtimin e ndihmës së DANIDA-së, shtohet dhe numri i granteve për projekte dhe atyre institucionale për iniciativa dhe organizata, qëllimet e të cilave përputhen me fushat dhe rezultatet që priten nga ky projekt. Ofrimi i mundësisë së aplikimit përmes procedurave të përshtatshme për aplikim varësisht nga instrumenti, bën skemën të përshtatshme për aplikim si për nismat qytetare ashtu edhe nga organizatat e mëdha dhe të konsoliduara të shoqërisë civile.

Përgjatë fazës së dytë së DSP-së, që nga viti 2014, 45 projekte në tërë Kosovën janë mbështetur nga kjo skemë me një buxhet të përgjithshëm prej rreth 3 milionë eurosh. Kjo fazë do të vazhdojë të zbatohet deri në vitin 2018.