KONTRIBUTI I KCSF-SË PËR RAPORTIN E PROGRESIT PËR KOSOVËN 2014

KCSF për çdo vit e përcjell vlerësimin e Komisionit Europian për fushën e shoqërisë civile, ndërsa në baza të rregullta kontribuon zyrtarisht në përgatitjen e Raporteve të Progresit për Kosovën. Kontributi i KCSF-së për Raportin e Progresit 2014 ka përmbledhur çështjet më të rëndësishme që kanë ndikuar në zhvillimin e shoqërisë civile në Kosovë për periudhën tetor 2013 – korrik 2014. Në Raportin e Progresit për Kosovën të vitit 2014, të publikuar më 8 tetor 2014, Komisioni Europian thekson nevojën e fuqizimit të shoqërisë civile dhe njohjes nga ana e institucioneve të Kosovës të rolit kyq të këtij sektori në një sistem demokratik.

Duke përmendur përparimin e arritur në marrëdhëniet e Kuvendit të Kosovës me shoqërinë civile dhe pjesëmarrjen e shoqërisë civile në Këshillin Kombëtar për Integrim Europian, raporti evidenton kapacitetet e dobëta të Qeverisë për zbatimin e Strategjisë së bashkëpunimit me shoqërinë civile 2013-2017.

Gjithashtu, pjesë të rëndësishme të vlerësimit rreth sektorit të shoqërisë civile paraqiten edhe problemet në procesin e konsultimit publik në nivelin e Qeverisë. Konsultimi publik vazhdon të mbetet në nivel të pakënaqshëm dhe i pa planifikuar si duhet. Qeveria, edhe atëherë kur e përfshin shoqërinë civile në procesin legjislativ, këtë e bën zakonisht në fund të procesit. Për më tepër, shoqëria civile nuk merr informata kthyese rreth rekomandimeve të tyre.

Ndër të tjera, Raporti i Progresit ngre shqetësimin rreth dispozitave të Ligjit për parandalim të shpërlarjes së parave dhe financimit të terrorizmit të cilat kufizojnë pranimin dhe pagesën e fondeve nga OJQ-të, me theks të veçantë në nevojën për të kërkuar leje për një gjë të tillë dhe mungesën e kritereve për dhënien e lejeve të tilla.

Për më tepër, shihni pjesën për shoqëri civile në Raportin e Progresit, faqe 12.

Kontributin e fundit me shkrim të KCSF-së për Raportin e Progresit për Kosovë të vitit 2014, të paraqitur më 15 gusht 2014, mund ta gjeni këtu.