U MBAJT TRAJNIMI “PROCEDURAT E APLIKIMIT PËR FONDE TË BE-SË”

Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) organizoi trajnimin tre ditor “Procedurat e Aplikimit për Fonde të BE-së”, i cili u mbajt më 23, 24 dhe 25 shtator, në Prishtinë.

Bashkimi Europian është një ndër donatorët më të mëdhenj të shoqërisë civile në Kosovë. Përmes instrumenteve të saj për përkrahje të shoqërisë civile, dhe promovimit të demokracisë dhe të drejtave të njeriut, asistenca financiare e BE-së për organizatat e shoqërisë civile në Kosovë arrinë shumën e rreth 2 milion EUR në vit. Në anën tjetër, hulumtime të ndryshme tregojnë se procedurat për aplikim për fonde në kuadër të instrumenteve financiar të BE-së janë shumë të vështira dhe në disa raste të pa arritshme për një numër të konsiderueshëm të organizatave të shoqërisë civile. Andaj, KCSF organizoi këtë trajnim për menaxhim të ciklit të projektit, të bazuar në kërkesat specifike të thirrjeve për aplikim nga Bashkimi Europian.

Pjesëmarrësit e këtij trajnimi mësuan për zbërthimin e kërkesave që dalin nga Udhëzuesi për Aplikim në thirrjet e BE-së, ndërtimin e trungut të problemeve, hartimin e Kornizës Logjike, buxhetimin e projektit, zbërthimin e aplikacionit të plotë, monitorimin dhe vlerësimin e projektit. Gjatë trajnimit, pjesëmarrësit u angazhuan në punë në grupe dhe simuluan të gjitha fazat e menaxhimit të ciklit të projektit.