THIRRJA PËR APLIKIM PËR GRANTE PËR ZHVILLIM ORGANIZATIV

Angazhimi për Veprim të Përbashkët (EJA Kosovë) është program i KCSF-së që mbështet nismat e shoqërisë civile përmes granteve dhe ndërtimit të kapaciteteve me synimin e përgjithshëm për t’i kontribuar një shoqërie demokratike e gjithëpërfshirëse në Kosovë në rrugën e saj drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

Duke vënë në plan të parë angazhimin dhe pjesëmarrjen e qytetarëve përgjatë tërë punës së shoqërisë civile, EJA Kosovë synon të kontribuojë drejt dy qëllimeve kryesore ku:  (a) shoqëria civile shfrytëzon hapësirat për avokim dhe synon krijimin e mundësive/hapësirave të reja për pjesëmarrje të qytetarëve dhe qytetareve në formësimin e çështjeve me interes publik dhe (b) organizatat e shoqërisë civile forcojnë lidhjet me qytetarë dhe përmirësojnë llogaridhënien dhe transparencën ndaj anëtarëve dhe publikut të gjerë.

Grantet për zhvillim organizativ synojnë të mbështesin a) OJQ të cilat janë të organizuara mirë, kanë një vizion të qartë dhe punojnë sistematikisht për të zbatuar strategjinë e tyre dhe b) OJQ të tjera që nuk janë ende në atë nivel, por kanë drejtim të qartë të zhvillimit të tyre, përfshi qëllimet programore dhe grupet e qytetarëve që i përfaqësojnë ose i synojnë me punën e tyre. Duke i ofruar atyre mbështetje për zhvillimin organizativ afatgjatë dhe të përshtatur, organizatat e synuara do të mund të përdorin fonde të dedikuara për zhvillimin e organizatës në vend të atyre  për zbatimin e projekteve specifike.

Në veçanti, këto grante synojnë të mbështesin ndërtimin e kapaciteteve të stafit, zhvillimin dhe zbatimin e  sistemeve dhe procedurave të brendshme, zhvillimin e politikave dhe dokumenteve të brendshme, përdorimin e softuerëve dhe pajisjeve ose metodologjive dhe qasjeve specifike.  Ngjashëm me instrumentet tjera të EJA Kosovë, këto grante u mundësojnë organizatave që gjithashtu të adresojnë në mënyrë të vazhdueshme e sistematike përfshirjen e qytetarëve në punën e tyre dhe t’i përmirësojnë praktikat e qeverisjes së brendshme.

KUSH MUND TË APLIKOJË?

Organizatat joqeveritare vendore (OJQ) të regjistruara në Kosovë.

KOHËZGJATJA DHE BUXHETI

Organizatat mund të aplikojnë për financim deri në 24 muaj. Buxheti maksimal që mund të kërkohet për një grant nga kjo thirrje është 15.000 EUR.

DORËZIMI I APLIKACIONEVE

Aplikantët duhet të paraqesin aplikacionet e plotësuara në eja@kcsfoundation.org. Do të merren parasysh vetëm aplikacionet që përmbushin të gjitha kërkesat e thirrjes të specifikuara në udhëzuesin për aplikim dhe formularin e aplikimit. Afati i fundit për aplikim është 25.01.2021 deri në orën 24:00.

Thirrja për aplikim për grante për zhvillim organizativ është mbyllur.