THIRRJE PËR SHPREHJE TË INTERESIT PËR ANGAZHIM TË EKSPERTËVE/EVE

Thirrje për shprehje të interesit  për angazhim të ekspertëve/eve

Për KCSF-në

Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), është organizatë udhëheqëse në përkrahjen e nismave qytetare në Kosovë që nga viti 1998. KCSF-ja ofron fonde për shoqërinë civile nëpërmjet mekanizmave e sistemeve të avancuara të dhënies së granteve, ndërton kapacitete e dije për sektorin nëpërmjet Qendrës së KCSF-së, si dhe mbron dhe shtyn përpara hapësirën për qytetari dhe ambientin e veprimit të shoqërisë civile në Kosovë dhe më gjerë, nëpërmjet hulumtimit të politikave, avokimit dhe mobilizimit të sektorit. KCSF-ja beson që një shoqëri civile e fuqishme me përfshirje të vërtetë të qytetarëve në punën e vet është element kyç për një qeverisje përfshirëse, transparente dhe llogaridhënëse, e që kontribuon në shndërrimin e Kosovës në një shoqëri demokratike me perspektivë të integrimit europian dhe me një situatë të avancuar socio-ekonomike.

Në zbatimin e aktiviteteve të ndryshme për ngritje të kapaciteteve, KCSF-ja angazhon ekspertë/e të fushave të ndryshme si: bashkëpunëtorë/e të KCSF-së, me qëllim të arritjes së objektivave të projekteve të ndryshme. Këta/këto bashkëpunëtorë/e do të angazhohen për zhvillim të moduleve të trajnimeve tematike, trajnim të trajnerëve, ofrim të trajnimeve për përfitues të ndryshëm dhe ofrim të këshillave profesionale dhe mentorim për Organizata të Shoqërisë Civile (OShC).

Vërejtje: Ekspertët/et mund të aplikojnë në një ose më shumë nga fushat e listuara më poshtë:

Angazhimi i Ekspertëve/eve

KCSF-ja  fton të gjithë të interesuarit/at me kualifikime përkatëse dhe përvojë të dëshmuar që të shprehin interesimin e tyre për t’u përfshirë në listën e bashkëpunëtorëve/eve të jasht­ëm/me­ të KCSF-së, për fushat në vijim:

  • Teknikat e Mobilizimit të Komunitetit dhe Përfshirjes së Qytetarëve në Punën e OShC-ve;
  • Ngritja e Fondeve;
  • Sistemet dhe Proceset për Monitorim dhe Vlerësim (M&E) të Punës së Organizatës;
  • Avokimi Pjesëmarrës;
  • Zhvillimi i Brendshëm i Organizatave – Rregulloret e Brendshme të Funksionimit (Kuvendi, Anëtarësia, Bordi), Konflikti i Interesit;
  • Mbrojtja e mjedisit;
  • Të drejtat dhe Mekanizmat për Mbrojtje të të Drejtave të Fëmijëve.

Kualifikimet

  • Diplomë universitare në fushat përkatëse ose të ndërlidhura (është e domosdoshme diploma e nivelit bachelor, preferohet diploma e nivelit master ndërsa doktoratura është përparësi);
  • Njohuri të shkëlqyeshme të gjuhës shqipe dhe angleze, ndërsa njohuritë e njëjta në gjuhën serbe, turke dhe rome do të konsiderohen përparësi;
  • Aftësi të mira të komunikimit.

Si të aplikoni?

Për të shprehur interesimin tuaj, duhet të dërgoni:

  • CV të detajuar, me theks në angazhimet tuaja në fushat përkatëse të aplikimit
  • Një dokument ku listoni temat për të cilat shprehni interesin tuaj, dhe
  • Dëshmi për përvoja të ngjashme.

Të gjitha dokumentet duhet të dërgohen përmes e-mailit, në adresën aplikimi@kcsfoundation.org, jo më vonë se 13 shkurt 2022 ora 23:00.

KCSF-ja do t’i kontaktojë ekspertët/et nga lista e personave aplikues, me qëllim të diskutimit të bashkëpunimit eventual.

Shprehja e interesit nuk nënkupton obligimin e KCSF-së për të angazhuar ndonjë ekspert/e apo për të vendosur çfarëdo marrëdhënie kontraktuale në mes të KCSF-së dhe bashkëpunëtorëve/eve të KCSF-së.