“Asistenti Virtual”në Mitrovicën e Veriut, projekti inovativ që përfitoi prej granteve urgjente

Business Advisory Center në Mitrovicën e Veriut, prej dhjetorit të vitit 2020 e deri në fund të muajit maj 2021 kanë përfituar grant urgjent nga programi EJA Kosovë i KCSF-së.

Me projektin për Asistentin Virtual, BAC në Mitrovicën e Veriut, në kohë pandemie ka filluar të sigurojë një zgjidhje të shpejtë dhe të lehtë për qytetarët e kësaj pjese për t’ju ndihmuar rreth nevojave bazike për marrje të dokumenteve personale civile. Me anë të marrjes së dokumenteve personale[i] , BAC ka ndihmuar grupet e rrezikuara në këtë komunë pa pasur nevojë të jenë të pranishëm në objektin e Komunës.

“Projekti ynë pati një koncept inovativ dhe kësisoj kishte një hezitim te ne fillimisht nëse qytetarët e Mitrovicës së Veriut do të ishin të interesuar në shërbime të tilla. Në fakt, interesimi i ka tejkaluar pritjet tona, duke na motivuar ta vazhdojmë projektin. Kemi rekrutuar 10 vullnetarë, të cilët duke qenë pjesë e projektit kanë fituar njohuri praktike dhe përvojë në punën me Komunën, procesin e shërbimit të dokumenteve personale, promovimin e vullnetarizmit dhe përdorimin e teknologjive të reja. Gjatë një trajnimi një-ditor, të gjithë vullnetarët kanë mësuar më shumë për idenë e Asistentit Virtual, përdorimin e internetit dhe kuptimin më të thellë të një shërbimi të tillë në vendet tjera. Platformat si Asistent.me (Mal i Zi), Uber Eats (ShBA) dhe Wold (Serbi) janë përdorur si shembuj të mirë të asistentëve virtualë” tregojnë nga ekipi i Business Advisory Center.

Asistenti virtual është një shërbim unik që deri tash nuk ka qenë i pranishëm dhe qasshëm në Mitrovicën e Veriut.

“Qytetarët e disa komunave tjera na kanë kontaktuar për të na pyetur nëse do të ketë shërbime të tilla në komunat ku ata jetojnë, pra ka mundësi që Asistenti Virtual të zgjerohet e instalohet edhe në komunat tjera në Kosovë” thonë nga BACMN.

BACMN ka marrë 158 kërkesa individuale nga qytetarët për shërbime, për lëshimin e dokumenteve komunale dhe për ndihmë në prokurimin e ushqimeve dhe furnizimeve për pensionistët dhe njerëzit me nevoja të veçanta në këtë komunë.

“Një theks i veçantë dhe hapësirë e veçantë duhet t`i kushtohet faktit që kemi ndihmuar njerëzit në nevojë – të moshuarit shembull, të cilët kishin nevojë për ushqim dhe ilaçe gjatë një periudhe të vështirë. Ne vazhdojmë të ofrojmë këto shërbime të vlefshme. Ndikimi ynë do të vazhdojë të rritet ndërsa ne do të jemi të pranishëm në internet – ne jemi duke zhvilluar faqen tonë të internetit e cila do të sigurojë qëndrueshmëri do ta lehtësojë procesin e ndihmës për qytetarët” tregojnë nga BACMN.

BAC në Mitrovicën e Veriut është e përkushtuar që të përmirësojë situatën ekonomike duke mbështetur sektorin privat dhe duke krijuar mjedis të favorshëm për krijimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.

Grantet Urgjente ofrojnë mundësinë e intervenimit të shpejtë dhe me kohë nga shoqëria civile për t’iu përgjigjur çështjeve të identifikuara që kontribuojnë drejt qëllimit të programit EJA Kosovë.

EJA Kosovë është program i KCSF-së që i mbështetë nismat e shoqërisë civile përmes granteve dhe ndërtimit të kapaciteteve, me synimin e përgjithshëm për t’i kontribuar një shoqërie demokratike e gjithëpërfshirëse në Kosovë në rrugën e saj drejt integrimit në Bashkimin Europian. EJA Kosovë përkrahet nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Suedia (Sida).

[i] (çertifikatat e lindjes, çertifikatat e martesës, çertifikatat e shtetësisë, çertifikatat e bashkësisë familjare, çertifikatat e qëndrimit, regjistrimi në regjistrin e lindjeve dhe regjistrimi i vdekjes, e dokumente tjera)