Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) i ndau Çmimin për Demokraci 2020 aktivistes Shpresa Loshaj, për dedikimin dhe aktivizmin e saj në mbrojtjen e natyrës dhe ujërave në Lumbardhin e Deçanit. Shpresa Loshaj ka vite që është angazhuar aktivisht në mbrojtje të lumenjve dhe ambientit jetësor nga dëmi që po u shkaktohet nga ndërtimi dhe operimi i hidrocentraleve në këtë pjesë të Kosovës.
Shpresa e pranoi Çmimin për Demokraci në mënyrë virtuale ndërsa në emër të saj, fizikisht pllakën e çmimit e pranoi aktivistja nga Deçani Edonjeta Iberhysaj bashkë me Grupin Anti SLAPP, grup i cili është duke e përkrahur Shpresa Loshajn sidomos ndaj padisë që është ngritur kundër saj nga Kompania Kelkos.
Gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimit, Udhëheqësja e Programit Zhvillimor të Zvicrës në Kosovë znj. Katharina Stocker theksoi përkrahjen e vazhdueshme të Zvicrës për angazhim qytetar dhe mbrojtje të ambientit, ndërsa zv. Shefja e Ambasadës së Suedisë në Kosovë znj. Nasrin Pourghazian e cilësoi angazhimin e Shpresës si demonstrim të fuqisë së qytetarëve për ndryshim. Taulant Hoxha, Drejtor i KCSF-së, i ftoi qytetarët e Kosovës që ta shfrytëzojnë shembullin e Shpresës si frymëzim për t’u angazhuar për të mirën publike në çështjet që i preokupojnë lagjet, fshatrat e qytetet e tyre.
Ceremonia e ndarjes së çmimit u transmetua në rrjetet sociale të KCSF-së dhe në televizionin Kohavision, së bashku me një dokumentar të shkurtë të realizuar nga KCSF, ku tregohet për rrugëtimin e Shpresa Loshajt për këtë kauzë.
Çmimi për Demokraci është pjesë e programit EJA Kosovë, program ky i KCSF-së për përkrahje të shoqërisë civile që bashkë-financohet nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim dhe Suedia.