Prishtinë, 15 shtator 2022
Pesëmbëdhjetë organizata nga e tërë Kosova nënshkruan sot kontratat si përfituese të granteve të reja nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), në kuadër të programit EJA Kosovë.
Përderisa tetë prej tyre përfituan Grante për zhvillim organizativ në ciklin e dytë të këtij instrumenti unik në Kosovë, shtatë organizata tjera përfituan Grante për projekte të mesme.
Vlera totale e granteve të nënshkruara sot e tejkalon shumën prej 500,000 euro dhe i dedikohen fushave të ndryshme si: arsimi, drejtësia, angazhimi qytetar, qeverisja lokale, përfshirja sociale e personave me aftësi të kufizuara si dhe arti e kultura.
Gjatë ceremonisë së nënshkrimit të kontratave, Taulant Hoxha, drejtor ekzekutiv në KCSF theksoi rëndësinë e këtyre granteve. “Familjes së madhe të programit EJA Kosovë sot po i bashkohen edhe 15 organizata të reja partnere, e nëpërmjet tyre edhe mijëra qytetare e qytetarë të Kosovës të cilët do të kenë hapësira e veprimtari të shumta për t’u angazhuar për çështjet në interes të tyre, në lagjet, fshatrat dhe qytetet gjithandej Kosovës”, ka thënë Hoxha. Duke i’u afruar numrit prej rreth 80 organizatash e nismash të përkrahura nëpërmjet këtij programi gjatë dy viteve të fundit, Hoxha shprehu mirënjohjen e jashtëzakonshme për qeveritë e Zvicrës, Suedisë dhe Luksemburgut që vazhdojnë ta ndihmojnë zhvillimin e qytetarisë aktive në Kosovë, si kusht themelor për zhvillim të shoqërisë e shtetit tonë.
Organizatat përfituese të grantit për zhvillim organizativ punojnë në fusha të ndryshme: Down Syndrome Kosova është institucion i cili mundëson përfshirjen më kuptimplotë në shoqëri të personave me sindromën down; Komiteti i Grave të Verbëra të Kosovës është organizatë e bazuar në komunitet dhe punon në mbështetje të grave të verbëra; Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion – QIKA punon në rritje të vetëdijes kolektive dhe institucionale sa i përket barazisë gjinore dhe feminizmit; Advocacy Center for Democratic Culture – ACDC angazhohet për afirmim të të drejtave të njeriut, sundim te ligjit dhe demokracisë; Organizata për fëmijët pa kujdes prindëror – OFAP ofron mbështetje për fëmijët pa kujdes prindëror; Center for Affirmative Social Actions – CASA është një nismë e shoqërisë civile për të ngritur kapacitetet e përfaqësuesve të komunitetit serb në Kosovë; Duart plotë mëshirë – DPM si entitet ndihmon personat në nevojë, të moshuarit dhe fëmijët e varfër; Organizata për Demokraci, Anti- Korrupsion, Dinjitet – ÇOHU, institucion i cili punon që dy dekada në fushën e sundimit të ligjit dhe anti – korrupsionit.
Ndërsa, organizatat përfituese të grantit për projekte të mesme janë: EdGuard, si institut i cili punon në fushën e edukimit; Network of Peace Movement – NOPM ëshë një organizatë që punon në përfshirje më të madhe të publikut në çështje me rëndësi në nivelin lokal; Debate Center si qendër e cila punon në rritjen e aftësive debatuese tek të rinjtë/rejat; Fondacioni 17 i cili punon për përfshirjen e të gjithë qytetarëve/eve në komunitet përmes kulturës dhe artit; Shoqata e personave me aftësi të kufizuar – Handikos Ferizaj është shoqatë e cila ndihmon në mirëqenien e personave me aftësi të kufizuara, INJECT është organizatë që punon në fuqizimin e grave dhe mbrojtjen ligjore të tyre dhe Aktiv, organizatë që punon në përfshirje të komunitetit serb në proceset shoqërore dhe politike.
Ndërkaq sa i përket Granteve për zhvillim organizativ, ato zgjasin përafërsisht një vit dhe përfshijnë aktivitete që ndihmojnë zhvillimin e brendshëm të organizatave të cilat kanë dëshmuar ide të qarta të drejtimit strategjik të tyre dhe mbështeten me shumë maksimale deri në 15 mijë euro për grant.
Në anën tjetër, Grantet për projekte të mesme kanë shuma maksimale prej 40 mijë euro për grant, me kohëzgjatje maksimale deri në 18 muaj gjatë të cilave organizatat do të punojnë në tema të veçanta të cilat kërkojnë trajtim sistematik dhe të fokusuar.
Ndryshe prej vitit 2020 kur filluan grantet e para të këtij programi, EJA Kosovë ka ndarë grante në shumë prej rreth 2 milion euro.
EJA Kosovë është program i KCSF-së që bashkëfinancohet nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut