Puka: Pjesëmarrja e shoqërisë civile duhet të ndikojë realisht në procesin e zgjerimit të BE-së

Dren Puka nga KCSF po merr pjesë në Civil Society & Think Tank Forum (CSF) 2026 që po mbahet në Prishtinë.

Në kuadër të forumit, ai ishte pjesë e panelit “Mbrojtja e hapësirës qytetare dhe demokracisë: nga zotimet tek kushtëzimi për një proces të besueshëm të zgjerimit të BE-së”. Diskutimi u fokusua në atë se si procesi i zgjerimit mund t’u japë peshë reale standardeve demokratike dhe pjesëmarrjes së shoqërisë civile.

Puka theksoi se vendet e rajonit tashmë kanë shumë prej mekanizmave formalë për pjesëmarrje, ndërsa sfida qëndron te ajo se çfarë ndodh kur këto mekanizma nuk prodhojnë pjesëmarrje dhe ndikim real. Ai vuri në dukje se shumë prej tyre janë ndërtuar nën shtysën e procesit të integrimit evropian dhe se, me dobësimin e kësaj shtyse, po bëhet gjithnjë më i dukshëm hendeku ndërmjet ekzistencës së mekanizmave dhe substancës së tyre.

Sipas tij, kjo kërkon veprim në dy drejtime. Në afat të shkurtër, rikthimin e peshës së kritereve demokratike dhe të pjesëmarrjes në procesin e zgjerimit. Në afat të gjatë, ndërtimin e një baze shoqërore që e bën pjesëmarrjen të qëndrueshme edhe përtej stimujve të jashtëm. Ai theksoi se BE-ja duhet të vlerësojë cilësinë e konsultimeve, t’i lidhë standardet e tyre me kriteret dhe kushtet për pagesa në kuadër të Instrumentit për Reforma dhe Rritje Ekonomike për Ballkanin Perëndimor, si dhe ta përfshijë shoqërinë civile para dakordimit të Agjendave të Reformave.

Në planin afatgjatë, Puka theksoi se pronësia demokratike duhet të ndërtohet nga vetë shoqëria, përmes lidhjeve më të forta me qytetarët, lëvizjet, studentët, sindikatat dhe grupet joformale. Këto lidhje krijojnë presionin publik dhe kërkesën për llogaridhënie që u japin peshë mekanizmave formalë të pjesëmarrjes.