Filloreta Bytyçi është me profesion juriste dhe ka diplomuar në Studime Bashkëkohore Evropiane nga Universiteti Sussex (MB). Ajo ka përvojë të gjerë të punës në projekte të ndryshme donatorësh në fushat e zhvillimit të komunitetit, shoqërisë civile, medias dhe administratës publike. Që nga viti 2004, si konsulente, ajo mbështet zhvillimin e politikave dhe reformat e planifikimit në Qeverinë e Kosovës. Aktualisht ajo është Zëvendës Udhëheqëse e Ekipit/Specialiste për Zhvillimin e Politikave për projektin e financuar nga Sida për të mbështetur zhvillimin e kapaciteteve në fushën e zhvillimit dhe koordinimit të politikave në Kosovë, duke ofruar këshilla dhe mbështetje për stafin e Sekretariatit Koordinues Qeveritar në Zyrën e Kryeministrit të Kosovës dhe ministrive të linjës, për të ngritur vazhdimisht kapacitetet e tyre për zhvillimin dhe koordinimin e politikave. Përvoja e saj profesionale qëndron në mënyrë të konsiderueshme edhe në fushën e medias. Ajo ka qenë këshilltare për ligjin për median për Programin e Pavarur të Zhvillimit të Mediave të USAID/REX për çështje që lidhen me ligjin për media dhe rregulloret e medias. Përveç kësaj, ajo ka vepruar si këshilltare e dy shoqatave të mediave lokale dhe gazetarëve. Ajo dy herë është nominuar dhe emëruar nga Kuvendi si anëtare e Këshillit të Komisionit të Pavarur për Media të Kosovës.

Ajo gjithashtu ka kontribuar në zhvillimin e disa studimeve: Studimi Krahasues Rajonal i OECD/SIGMA për Vlerësimin e Ndikimit Rregullator (VNR), Studimin e Fizibilitetit  për Zyrën Zviceran për Bashkëpunim në Kosovë për Sistemin e Zhvillimit të Kapaciteteve Komunale për Kosovën, Studimi i Sidas që përshkruan fushat e mundshme dhe çështjet për mbështetjen e administratës publike në Shqipëri dhe Kosovë 2014-2020, Studimi i Sida-s për Vlerësimin e Opsioneve për Mbështetjen e Vazhduar Suedeze për një Shoqëri Civile pluraliste në Serbi, Kosovë, Shqipëri dhe Bosnje-Hercegovinë dhe Raporti diagnostik i GIZ në fushat e koordinimit të politikave, planifikimit strategjik, legjislacionit, menaxhimit të integrimit evropian dhe zbatimin e rishikimeve funksionale në Qeverinë e Kosovës.