Në çdo angazhim të shoqërisë civile, perspektiva gjinore duhet të jetë e pranishme që nga ideja fillestare deri te zbatimi. Vetëm atëherë mund të flasim për nisma që janë vërtet gjithëpërfshirëse, të drejta dhe transformuese.
Për këtë arsye, në kuadër të angazhimit tonë të vazhdueshëm, Shkolla për Aktivizëm gjithmonë përfshinë një modul dedikuar 𝐈𝐧𝐭𝐞𝐠𝐫𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐆𝐣𝐢𝐧𝐨𝐫 në punën e organizatave të shoqërisë civile. Kjo sepse jemi të bindur se angazhimi qytetar pa ndjeshmëri gjinore është i mangët dhe joefektiv dhe barazia gjinore duhet të jetë një shtyllë themelore në çdo përpjekje për ndryshim shoqëror.
Përgjatë dy ditëve, mbi 20 pjesëmarrës/e patën mundësinë të thellohen në kuptimin dhe zbatimin praktik të kësaj qasjeje, me synimin që barazia gjinore të mos jetë vetëm një parim, por pjesë e jetës së përditshme organizative dhe komunitare.
Në #KCSF besojmë se çdo politikë, projekt apo ndërhyrje që nuk e sheh botën edhe nga këndvështrimi gjinor, rrezikon të riprodhojë pabarazi. Prandaj punojmë për të fuqizuar kapacitetet e organizatave në këtë drejtim, sepse barazia nuk ndodh vetvetiu, por ndërtohet me dije, vullnet dhe angazhim të përbashkët.
▪️Nicole Farnsworth, në rolin e ligjërueses ka ofruar shpjegime mbi bazat dhe konceptet e barazisë gjinore, kontekstin gjinor në Kosovë, përdorimin e gjuhës së përgjegjshme gjinore në dokumente organizative, integrimin e perspektivës gjinore në çdo fazë të ciklit të projektit si dhe buxhetimin e përgjegjshëm gjinor.
▪️Ndërsa ligjëruesja Donjeta Morina, ligjëroi për rëndësinë e perspektivës gjinore në Monitorim, Vlerësim dhe Mësim si dhe mënyrat praktike të përfshirjes së kësaj perspektive në punën e përditshme të OShC-ve.
Ky aktivitet është organizuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian dhe Suedisë. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) dhe Community Building Mitrovica (CBM) dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht qëndrimet e Bashkimit Evropian apo Suedisë.