Javën që shkoi u hap Kometa, qendra dhe bari i parë feminist në vend, një iniciativë nga QIKA, që krijon hapësirë për bashkëbisedim, rezistencë dhe ndërtim komuniteti.
E konceptuar si një ndërmarrje sociale, Kometa shërben jo vetëm si vendtakim për komunitetin feminist por është një mjet për të financuar dhe fuqizuar kauzat për barazi gjinore dhe drejtësi shoqërore. Të gjitha të hyrat do të riinvestohen për të mbështetur aktivizmin feminist dhe punën thelbësore që bën QIKA.
Në hapje, drejtori i KCSF-së, Dren Puka, theksoi:
“Përmes mbështetjes sonë për QIKA-n dhe shumë nisma të tjera të shoqërisë civile, ky përkushtim bëhet konkret e i prekshëm. Ashtu siç kometa e prish rutinën e qiellit, aktivizmi feminist sfidon gjendjen ekzistuese, trazon qetësinë e rreme dhe sjell lëvizje e ndryshim. KCSF do të mbetet gjithmonë aleat i nismave që nuk lejojnë normalizimin e padrejtësisë dhe angazhohen për emancipim shoqëror”.
Kjo nismë është mbështetur nga #KCSF përmes Grantit Institucional të programit EJA Kosovë, si pjesë e përkushtimit tonë afatgjatë për të fuqizuar organizatat që ndërtojnë hapësira të reja për barazi dhe drejtësi.
Përveç “Kometës”, QIKA në kuadër të grantit institucional do të forcojë aktivizmin feminist dhe gazetarinë hulumtuese, do të publikojë raporte mbi çështjet gjinore, të përkthejë tekste feministe, të zhvillojë trajnime për të rinjtë dhe do të nxisë avokimin e bazuar në të dhëna për barazinë gjinore e drejtësinë sociale.