BE-ja prezantoi grantistët e rinj, përfshirë KCSF-në, në Ditën Botërore të OJQ-ve

Në Ditën Botërore të OJQ-ve, e organizuar nga Zyra e BE-së në Kosovë, BE-ja prezantoi grantistët e rinj, duke përfshirë KCSF-në, e cila do të vazhdojë punën e saj kritike në mbështetje të shoqërisë civile. Duke iu drejtuar përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe mediave, Ambasadori i BE-së në Kosovë, Aivo Orav, tha:

“Ju jeni një partner i çmuar  në procesin e anëtarësimit të Kosovës në BE, veçanërisht sepse keni një aftësi të jashtëzakonshme për të ndjerë pulsin dhe nevojat e shoqërisë në çdo kohë. Kosova është me fat që ju ka.”

Vetëm gjatë vitit 2024, BE-ja ka ndarë 16 grante përmes Programit “Civil Society Facility and Media” , duke ofruar 4.83 milionë euro për të forcuar zërat e pavarur dhe angazhimin demokratik në të gjithë Kosovën. Gjatë dy dekadave të fundit, BE-ja ka mbështetur një numër të madh organizatash të shoqërisë civile dhe mediale të cilat shtyjnë përpara ndryshimet shoqërore.

Si një nga përfituesit e granteve të BE-së, KCSF do të vazhdojë të mbështesë organizatat përmes Qendrës së Burimeve, duke i ndihmuar ato të rriten, të ndërtojnë qëndrueshmëri dhe të vazhdojnë ndikimin e tyre. Gjatë tre viteve të ardhshme, në partneritet me Community Building Mitrovica (CBM), kjo do të përfshijë:

  • Shkollën për Aktivizëm – forcimi i angazhimit qytetar dhe qytetarisë aktive
  • Trajnim për dixhitalizimin e OJQ-ve – rritja e qëndrueshmërisë dhe efektivitetit operativ
  • Programin e Trajnimit për Lidershipin e Grave – fuqizimi i lidereve të ardhshme në shoqërinë civile
  • Grante të vogla për aktivizëm qytetar – nxitja e iniciativave dhe angazhimit të bazuara në komunitet


Pas prezantimit,, drejtori për Hulumtime dhe Avokim në KCSF, Dren Puka, iu bashkua një paneli të diskutimit ku adresoi sfidat urgjente me të cilat po përballet shoqëria civile, veçanërisht në kuadër të sulmeve të shtuara ndaj shoqërisë civile në botë dhe urdhrit të ndalimit të punës nga USAID. Ai shtoi gjithashtu se varësia nga donatorët mbetet një sfidë strukturore. Gjithashtu theksoi se Strategjia e ardhshme e Qeverisë për Bashkëpunim me Shoqërinë Civile (2025-2029) duhet të përmbushë premtimin e saj për të krijuar një mjedis ligjor që u mundëson  OJQ-ve  të rriten dhe të mbeten të qëndrueshme. Kjo përfshin krijimin e kornizave ligjore për financim alternativ, përmirësimin e stimujve fiskalë për donacione, sigurimin që OJQ-të të kenë qasje të barabartë në shërbimet bankare, ofrimin e mbështetjes financiare publike më të fortë për OJQ-të dhe nxitjen aktive të një mjedisi që promovon demokracinë, solidaritetin dhe përfshirjen – vlera  thelbësore për ndërtimin e një zhvillimi socio-ekonomik të drejtë, të barabartë dhe të qëndrueshëm.

Dren Puka shtoi se BE-ja ka qenë prej kohësh një mbështetëse jetike e shoqërisë civile në Kosovë, duke luajtur një rol kyç në forcimin e vlerave demokratike dhe nxitjen e përfshirjes. Ai vuri në pah se kjo mbështetje duhet të vazhdojë, jo vetëm si ndihmë financiare, por përmes një partneriteti strategjik që fuqizon shoqërinë civile për të nxitur përparimin demokratik.

Duhet të ketë një fokus të vazhdueshëm për të siguruar që shoqëria civile e Kosovës të mbetet aktivisht e angazhuar si në mekanizmat nacional ashtu edhe në strukturat e nivelit të BE-së, si pjesë e procesit më të gjerë të integrimit evropian. Ndryshe nga procesi i gjatë dhe burokratik i anëtarësimit të shtetit, ky integrim mund të lehtësohet më efektivisht duke përfshirë shoqërinë civile që në fillim, duke siguruar përfaqësim të drejtpërdrejtë në të dyja nivelet. Kjo qasje kultivon solidaritetin midis qytetarëve dhe siguron që zërat e ndryshëm të dëgjohen, duke përforcuar themelet demokratike të Kosovës dhe Evropës.