Sistemi i KCSF-së për vlerësimin e granteve është hartuar për të siguruar integritet dhe reputacion të mirë të procesit duke qenë i paanshëm, objektiv, konkurrues, i verifikueshëm dhe transparent. Kjo arrihet përmes elaborimit të hollësishëm të të gjithë hapave dhe sekuencave; ndarjes së qartë të roleve dhe përgjegjësive për stafin e KCSF-së, vlerësuesit e jashtëm dhe donatorët; kritereve dhe procedurave të caktuara paraprakisht, e që janë publike; informacioneve publike për grupet e vlerësuesve të jashtëm, përfshirë kriteret për përzgjedhje dhe profilet e tyre; intervistave publike dhe lehtësisht të qasshme; shmangies së çdo ndërhyrjeje të jashtme në gjykimin e vlerësuesve dhe mundësisë për përcjelljen e plotë hap pas hapi të vlerësimit të tyre; publikimit të rezultateve të vlerësimit dhe informimit të hollësishëm për grantet e mbështetura; informacioneve të hollësishme për aplikantët e pasuksesshëm dhe një mekanizmi të zhvilluar për ankesa; si dhe mundësisë së publikut për të raportuar çdo dyshim për keqbërje nga ndonjë palë, përmes një mekanizmi publik të sinjalizuesve anonimë. Një ekip i jashtëm për vlerësim, i përbërë nga 5 ekspertë me njohuri dhe ekspertizë përkatëse, do ta bëjë vlerësimin e aplikacioneve. Ekipet e vlerësimit të ekspertëve të jashtëm kontraktohen me rotacion dhe bazuar në thirrje dhe instrumente specifike. Një përjashtim nga ky rregull do të jenë aplikacionet për grante urgjente të cilat do të vlerësohen nga KCSF-ja. Donatorët e kanë të drejtën e vetos mbi listën e aplikantëve të rekomanduar për financim për rastet që konsiderojnë se bien ndesh me vlerat e promovuara nga donatori ose përkojnë me intervenimet të tjera të ngjashme të financuara nga ta.