KCSF lanson fazën e dytë të Programit EJA Kosovë dhe ndanë Çmimin për Demokraci 2023

Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), ka mbajtur sot ceremoninë e lansimit të fazës së dytë të programit EJA Kosovë si dhe ndarjes së Çmimit për Demokraci për vitin 2023.

Në prani të përfaqësuesve të shoqërisë civile, institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, korit diplomatik në Kosovë, partnerëve dhe bashkëpunëtorëve u shënua vazhdimi i bashkëpunimit në përkrahje të shoqërisë civile në Kosovë.

Faza e dytë e programit EJA Kosovë vazhdon të bashkëfinancohet nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Suedia dhe përfshinë rreth 200 grante në një shumë të përgjithshme prej rreth 2.5 milionë euro për 5 vitet e ardhshme, si përkrahje për organizata jo qeveritare, nisma të paregjistruara dhe individë që angazhohen drejt nxitjes së një shoqërie më gjithëpërfshirëse dhe demokratike.

Me këtë rast, drejtori ekzekutiv i KCSF-së, z. Taulant Hoxha, ka theksuar se EJA Kosovë, gjatë fazës së parë të filluar në vitin 2019, ka ndarë më shumë se 2.3 milionë euro nëpërmjet 98 granteve të shumave e natyrave të ndryshme, me anë të të cilëve ka përfshirë drejtpërdrejtë mbi 30,000 qytetarë të Kosovës, ka trajtuar mbi 850 çështje me interes për ta, e ka arritur ndryshime në dhjetëra sektorë të ndryshëm, në të gjitha rajonet e Kosovës.

“Prej kur ka filluar faza e parë e programit EJA Kosovë në vitin 2019 bota ka ndryshuar shumë. Por ka mbetur e pandryshuar nevoja që qytetarët të jenë vazhdimisht të vëmendshëm, të informuar e të angazhuar për lagjen, fshatin, qytetin, vendin por edhe planetin, si rruga e vetme që edhe problemet më serioze të trajtohen e tejkalohen. Si program i përqendruar në përfshirje të qytetarëve, EJA Kosovë do të vazhdojë që edhe gjatë pesë viteve të ardhshme të përkrahë organizata të shoqërisë civile, nisma e individë, në punën e tyre për t’u bërë zë i qytetareve e qytetarëve të Kosovës“, ka shtuar ndër të tjera Hoxha.

Ndërsa Sh.T. Ambasadori Jürg Sprecher, Ambasador i Zvicrës në Kosovë ka theksuar se demokracia nuk është vetëm një sistem qeverisjeje, por një shprehje qenësore e dinjitetit njerëzor, duke i dhënë zë gjithsecilit. “Kjo është arsyeja pse që nga fillim i angazhimit të Zvicrës në vend, mbështetja për Kosovën në forcim të demokracisë ka qenë një aspekt thelbësor i punës tonë”, ka shtuar ambasadori Sprecher.

Kurse Sh.T. Ambasadori Jonas Westerlund, Ambasador i Suedisë në Kosovë, theksoi se barazia, prosperiteti, mirëqenia dhe cilësia e jetës për të gjithë qytetarët janë thelbësore si për shoqërinë ashtu edhe për anëtarësimin e Kosovës në BE. ”Suedia mbështet aktorët e shoqërisë civile në Kosovë sepse janë të nevojshëm për zhvillimin demokratik. Grantet e EJA-s janë një shembull i mirë se si kontributet e ndryshme në shoqëri mund të hapin rrugën për zhvillimin”, ka shtuar ambasadori Westerlund.

Kosovare Sadiku, laureate e Çmimit për Demokraci 2023 i ndarë nga KCSF

KCSF i ndau Çmimin për Demokraci 2023 aktivistes së shoqërisë civile znj. Kosovare Sadiku, e cila ka punuar në zgjerimin e mundësive drejt pranimit dhe integrimit të fëmijëve me aftësi të kufizuara si të barabartë me moshatarët e tyre përmes krijimit të hapësirave publike gjithëpërfshirëse. Sadiku së bashku me bashkëpunëtorët e saj, gjatë vitit 2023, për herë të parë në Prishtinë kanë krijuar kënde të lojërave për fëmijët me aftësi të kufizuara.

Me rastin e pranimit të çmimit, znj. Sadiku ka theksuar se hapësirat publike janë thelbi i komunitetit, vendi ku njerëzit mblidhen, bashkohen dhe ndërtojnë lidhje. Eliminimi i barrierave në hapësirat publike dhe krijimi i qyteteve gjithëpërfshirëse ka thënë se garanton që çdo pjesëtar i komunitetit, veçanërisht grupet e margjinalizuara, të kenë qasje të barabartë dhe mundësi për të kontribuar në jetën e përbashkët shoqërore dhe shtetërore.

“Një komunitet aktiv është thelbësor për zhvillimin e një shoqërie të drejtë dhe demokratike, ku secili individ ka zërin dhe rolin e tij në proceset vendimmarrëse. Kjo përbën thelbin e angazhimit tonë dhe arsyen për çka ekziston organizata YARL dhe Festivali i Arkitekturës. Prandaj natyrshëm ju bëj thirrje të gjithëve që të vazhdoni të mbështesni nisma të tilla dhe të angazhoheni në aktivitete që zhvillojnë demokracinë dhe mundësojnë përfshirjen qytetare“, ka shtuar më tej ajo.

Çmimi për Demokraci është vlerësim tradicional të cilin KCSF e ndan në baza vjetore për të njohur kontributet e jashtëzakonshme të aktivistëve dhe organizatave për zhvillimin e demokracisë në Kosovë dhe për t’i promovuar si modele që duhet ndjekur në zhvillimin e demokracisë në vend.


Çmimi për Demokraci ka për qëllim të vlerësojë kontributet e individëve, nismave të paregjistruara dhe të organizatave joqeveritare në fusha të ndryshme, që janë rezultat i mobilizimit të komunitetit dhe angazhimit të qytetarëve e qytetareve, ideve të reja, guximit intelektual ose arritjeve të theksuara, dhe që kanë kontribuar në demokratizimin e shoqërisë kosovare përmes punës dhe përkushtimit të tyre.

Angazhimi për Veprim të Përbashkët (EJA Kosovë) është program i KCSF-së që mbështet nismat e shoqërisë civile përmes granteve dhe ngritjes së kapaciteteve me synimin e përgjithshëm për të dhënë kontribut domethënës në zhvillimin demokratik dhe socio-ekonomik të Kosovës. E themeluar si mekanizëm i financimit ku disa donatorë i bashkojnë fondet e tyre për përkrahjen e shoqërisë civile, EJA Kosovë financohet bashkërisht nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Suedia.

Duke vënë në plan të parë angazhimin dhe pjesëmarrjen e qytetarëve në punën e shoqërisë civile, EJA Kosovë synon të kontribuojë drejt dy objektivave kryesorë (a) rritjes së angazhimit të qytetarëve në jetën publike përmes avokimit me pjesëmarrje të shoqërisë civile dhe (b) t’u mundësohet OSHC-ve që t’i forcojnë marrëdhëniet e tyre me qytetarët dhe t’i përmirësojnë kapacitetet organizative.