Pas miratimit nga Qeveria e Kosovës së Projektligjit për dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme të komunës në takimin e saj të datës 27 dhjetor 2023, KCSF i dërgoi letër Kryeministrit të Kosovës z. Albin Kurti, në të cilën shprehu zhgënjimin e saj si me përmbajtjen e Projektligjit të miratuar ashtu edhe me procesin e hartimit të këtij projektligji.
Në letrën drejtuar Kryeministrit Kurti, KCSF informoi Kryeministrin që përmbajtja e Projektligjit të miratuar në Qeveri është në kundërshtim të plotë me përmbajtjen dhe qëllimet e politikave të Qeverisë së Kosovës për këtë fushë, të përcaktuara Koncept Dokumentin për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme të komunës, i miratuar nga Qeveria e Kosovës më datë 8 mars 2023.
KCSF, bashkë me shumë organizata tjera të shoqërisë civile, kishin marrë pjesë aktive në hartimin e këtij Koncept Dokumenti gjatë vitit 2022 dhe 2023, duke kontribuar në një reformë të rëndësishme të shfrytëzimit të pronave komunale për të mirën publike. Fatkeqësisht, gjatë procesit pasues të hartimit të Projektligjit, organizatat e shoqërisë civile ishin injoruar, sikurse edhe komentet e tyre të shumta lidhur me përmbajtjen problematike të Projektligjit.
KCSF, bashkë me organizatat tjera të përfshira, do të angazhohen në kuadër të procedurave parlamentare që përmbajtja e këtij projektligji të përmirësohet, ose i njëjti t’i kthehet Qeverisë për rishqyrtim.