Meqenëse unë vetë vij nga shoqëria civile, zhvillimi i saj është gjithmonë prioritet për mua. Shoqëria civile është kripa e çdo demokracie – pa të demokracia bëhet bajate. Sa herë që ato ofrojnë inpute, kjo është për hir të sjelljes së ndryshimit, dhe jo vetëm për hir të një cikli tjetër politik. Kjo është arsyeja pse e kam parë gjithmonë shumë të rëndësishme lidhjen me organizatat e shoqërisë civile në punën time. Por gjetja e partnerëve të mirë nuk është e lehtë. Për të pasur bashkëpunim të mirëfilltë me organizatat e shoqërisë civile, është thelbësore që marrëdhënia jonë të bazohet në besim. Edhe nëse ndajmë mendime të ndryshme se si i perceptojmë gjërat apo pse po ndodhin ato, më duhet të di se e kam një partner të besueshëm i cili bën gjykime të shëndosha, siç ka qenë dhe vazhdon të jetë KCSF-ja. Ato kanë luajtur rol shumë të rëndësishëm për punën time. Lobimi që ka bërë KCSF-ja dhe organizatat e tjera me të vërtetë ka ndikuar që institucionet e BE-së të kuptojnë se çfarë i nevojitet Kosovës, por edhe se si funksionon ajo. Në anën tjetër, këto organizata kanë gjetur gjithashtu një mënyrë për t’i ndihmuar njerëzit në Kosovë të kuptojnë se çfarë është BE-ja dhe pse është ajo e rëndësishme për Kosovën. Kjo është arsyeja pse unë insistoj që ne duhet t’i dëgjojmë ato me vëmendje – vlera dhe forca e tyre unike është se ato po i ndërtojnë urat që i duhen vendit për të ecur përpara.