Gjatë viteve 2011 dhe 2016 kam shërbyer si ambasador i Norvegjisë në Kosovë. Ne po mbështesnim Grupin e Grave Deputete të Kuvendit të Kosovës, organizatë lidere e grave deputete në rajon. Ishte e rëndësishme të mbështetej grupi i grave deputete në mënyrë që ato të mund t’u tregonin grave të tjera se ato mund të japin rezultate politike dhe praktike, si mënyra më e mirë për t’i fuqizuar ato. Ofrimi i rezultateve afatgjata dhe të prekshme për gratë nënkuptonte se ndoshta ne do të duhej të bënim diçka jashtë sistemit legjislativ. Ideja lindi për çështjet e shëndetit të grave. Kanceri i gjirit ishte një problem madhor që kishte prekur shumë familje në Kosovë. Nuk ishte marrë asnjë masë parandaluese, kështu që filluam të mendonim për mbledhjen e parave për një njësi mamografie mobile. Nëse do të mund t’i ndihmonim gratë ta zbulonin kancerin herët, veçanërisht ato të grupmoshave të cenueshme, do ta sillnim një ndryshim që prek jetën dhe vdekjen. Njësia e mamografisë duhej të ishte mobile për t’i vizituar gratë në zona të thella. Ky problem është veçanërisht i pranishëm në Kosovë – ka kaq shumë gra në fshatra të izoluara të cilat nuk mund të gjejnë apo ta përballojnë transportin për në qendrat mjekësore në qytete. Na duhej ta kishim një njësi mamografie mobile për të udhëtuar nëpër Kosovë për të ofruar shërbime ekzaminimi për gratë nga të gjitha komunitetet, pa marrë parasysh vendndodhjen apo përkatësinë etnike, në mënyrë që askush të mos anashkalohej. Kjo njësi do të ofronte të njëjtin shërbim, në mbarë Kosovën, për të gjitha komunitetet. Gratë deputete ishin shumë të përkushtuara ndaj kësaj ideje. Për projektin na duheshin rreth 265,000 euro dhe unë, si ambasador i Norvegjisë, dhashë donacionin e parë prej rreth 75,600 euro. Por na duhej dikush që t’i administronte fondet. Grupi i Grave Deputete nuk e kishte kapacitetin apo dëshirën për ta marrë këtë përsipër, duke mos dashur të ballafaqoheshin me akuza për keqmenaxhim të fondeve; njësoj edhe Ambasada Norvegjeze. Po kërkoja një organizatë e cila do të ishte në gjendje ta merrte këtë përgjegjësi. Kemi pasur disa projekte me KCSF-në. Ata kishin një sistem solid të menaxhimit të projektit, ata ishin të trajnuar sipas standardeve të BE-së për zbatim të projekteve – ishin profesionistë dhe mund ta bënin këtë detyrë. Unë bisedova me Venerën dhe ajo menjëherë e pranoi këtë mundësi. KCSF-ja ka ofruar që ta bëjë menaxhimin e fondeve dhe procesin e prokurimit në baza krejtësisht vullnetare. Nuk kisha dëgjuar për ndonjë organizatë tjetër që bënte diçka të ngjashme, ky me të vërtet ishte gjest i një shoqërie civile shembull. Gjëja më e mirë ishte se kjo qasje shumë bamirëse arriti të mobilizonte kaq shumë njerëz – nuk kishte më vetëm financim nga institucionet, por kishte mbi 40 individë të cilët kishin dhënë paratë e tyre personale për kauzën. Procesi u menaxhua shumë mirë dhe me transparencë të plotë dhe të gjithë donatorët u shprehën se ishin të informuar për gjithçka në kohë. Kjo mori më shumë kohë sesa ekipi i KCSF-së e priste, Fidani ishte shumë i ngarkuar me përpjekjet për t’u siguruar që gjithçka të shkonte mirë, por ia dolëm. Morëm kamionin, gjithçka u instalua dhe organizuam një ngjarje të madhe lansimi jashtë ndërtesës së kuvendit. Kishte disa pengesa në fillim, por i tejkaluam ato. Pak nga pak kamioni filloi të funksiononte. E gjithë nisma ishte një shfaqje kaq e mrekullueshme e njerëzimit. Gratë deputete nga të gjitha partitë u mblodhën, në mbështetje të grave nga të gjitha komunitetet, me financime nga donatorë të të gjitha llojeve. Derisa procesi iu dorëzua Ministrisë së Shëndetësisë, KCSF-ja na dërgonte rregullisht statistika se si po kalonin kontrollet dhe vetëm në vitin e parë rezultatet ishin mahnitëse. Për vetëm një vit, ne tashmë kishim shpëtuar jetë.