THIRRJE PËR PUNË PRAKTIKE NË KCSF

Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ka hapur thirrjen për program tre-mujor të punës praktike. Duke u bërë pjesë e KCSF-së, ju do të keni mundësi të përfitoni një përvojë të vlefshme të punës, të zhvilloheni profesionalisht dhe t’i bashkoheni një ekipi dinamik dhe të përkushtuar për zhvillim të shoqërisë civile në Kosovë, dhe zhvillim të gjithmbarshëm shoqëror në përgjithësi.

Që nga viti 1998, KCSF është një forcë shtytëse në mbështetjen e iniciativave qytetare dhe nxitjen e angazhimit qytetar në Kosovë. Tani, ne jemi në kërkim të të rinjve dhe të rejave të motivuara që kanë për qëllim të bëjnë një ndryshim domethënës në shoqëri duke iu bashkuar ekipit tonë.

Angazhimi i juaj në KCSF jo vetëm që do t’ju ofrojë përvojë praktike të punës, por gjithashtu do t’ju ekspozojë ndaj proceseve, organizatave dhe institucioneve kryesore që formësojnë shoqërinë civile në Kosovë.

Në KCSF, ne vlerësojmë zhvillimin personal dhe profesional dhe besojmë në fuqinë transformuese të shoqërisë civile, si dhe të individëve si pjesë përbërëse e saj. Nëse dëshironi të bëni ndryshim, të zhvilloni aftësitë tuaja dhe të kontribuoni në krijimin e një shoqërie më të drejtë dhe më të angazhuar, ju ftojmë të aplikoni për mundësinë e punës praktike.

PSE T’I BASHKOHENI KCSF-së?

Përgjatë punës praktike ju do të keni mundësinë të:

· Punoni në nisma dhe aktivitete që mbështesin shoqërinë civile në Kosovë;

· Bashkëpunoni me individë dhe organizata kyçe që formojnë shoqërinë civile në Kosovë;

· Udhëhiqeni nga një ekip i përkushtuar ndaj parimeve të drejtësisë sociale dhe gjithëpërfshirjes;

· Bëheni pjesë e një ekipi frymëzues të përkushtuar ndaj fuqisë transformuese të angazhimit qytetar.

DETAJET E PRAKTIKËS:

· Kohëzgjatja: deri në 6 muaj.

· Vendndodhja: Puna praktike është me orar të plotë dhe kërkohet prania fizike në zyrat e KCSF-së në Prishtinë.

· Kompensimi: Për këtë angazhim do të ketë kompensim financiar.

· Mundësi për punësim afat-gjatë: bazuar në performancën gjatë periudhës së praktikës dhe nevojat e vazhdueshme të organizatës.

KUSHTET, KUALIFIKIMET QË KËRKOHEN:

· Kandidatët/Kandidatet duhet të jenë në vitin e fundit të studimeve të tyre bachelor ose të kenë diplomuar rishtazi.

· Drejtimet e preferuara janë në fushën e shkencave shoqërore, si: drejtësi, sociologji, shkencat politike, antropologji, administrata publike, ekonomi, ose degë të ngjashme. Megjithatë, nuk përjashtohen edhe aplikimet nga fushat tjera, por që kanë motiv dhe interesim për angazhim.

· Interesim i veçantë në zhvillimin e shoqërisë civile, të drejtat e njeriut, gjithëpërshirje dhe drejtësisë sociale.

· Aftësi bazike në administrimin e projekteve, duke përfshirë mirëmbajtjen dhe ruajtjen sistematike të dokumenteve, analizimin e të dhënave dhe ofrimin e informatave për qëllime të raportimit dhe mbështetje në procesin e monitorimit të grantistëve.

· Aftësi bazike në koordinimin dhe zbatimin e aktiviteteve, duke përfshirë mbështetje në organizim të aktiviteteve programore, përfshirë përgatitjet logjistike dhe materialeve.

· Aftësi bazike në raportim dhe komunikim, duke përfshirë ndihmën në hartimin e raporteve për përdorim të brendshëm dhe kërkesat e donatorëve, si dhe mbështetje në komunikimin me palët e jashtme, përfshirë organizimin e takimeve dhe mbajtjen e shënimeve.

· Aftësi komunikimi efektive në gjuhën shqipe në të shkruar dhe në të folur, me aftësi për të përgatitur raporte dhe për të shkëmbyer ide me ekipin.

Ne vlerësojmë diversitetin dhe gjithëpërfshirjen, andaj inkurajojmë të rinjtë dhe të rejat nga të gjitha grupet shoqërore që të aplikojnë.

SI TË APLIKONI:

Dokumentet e nevojshme për aplikim:

· Letër motivimi me theks në njohuritë, interesimin dhe motivin tuaj;

· CV;

Dokumentet e lartshënuara duhet të dërgohen më së largu deri më 20 shkurt 2025, në adresën: aplikimi@kcsfoundation.org, duke shënuar në Subjekt: Aplikim për punën praktike.

PROCESI I PËRZGJEDHJES:

· Vetëm kandidatët(et) e përzgjedhur(a) në listën e ngushtë do të kontaktohen.

· Varësisht nga cilësia e aplikacioneve dhe numri i kandidatëve(eve) të përzgjedhur(a) në listën e ngushtë, KCSF mund të kërkojë nga kandidatët(et) e listës së ngushtë t’i nënshtrohen testit me shkrim dhe intervistave.

· KCSF mban të drejtën që të mos përzgjedhë asnjë nga kandidatët(et) e paraqitur(a) në mungesë të aplikacioneve të përshtatshme.

KCSF është organizatë e cila e vlerëson diversitetin brenda stafit, përkushtohet për mosdiskriminim dhe siguron trajtim të barabartë të të gjithë kandidatëve e kandidateve gjatë procedurës së rekrutimit, pa paragjykime, pavarësisht nga gjinia, raca, feja, mosha, përkatësia kombëtare, orientimi seksual, gjendja martesore, vendbanimi, nevojat e veçanta apo ngjyra.

Mos e humbisni këtë mundësi për të nisur karrierën tuaj duke kontribuar në ndryshime pozitive shoqërore. Ju mirëpresim në ekipin e KCSF-së!