Thirrje për aplikim në trajnimin dyditor “Zhvillimi i Kornizave Logjike, Indikatorëve dhe Teorisë së Ndryshimit”

Qendra e Burimeve për Shoqërinë Civile në Kosovë do të organizojë trajnimin “Zhvillimi i Kornizave Logjike, Indikatorëve dhe Teorisë së Ndryshimit”.

Objektivi kryesor i këtij trajnimi është që të zhvillojë aftësitë kyçe për planifikimin, menaxhimin dhe vlerësimin e projekteve për përfaqësuesit e Organizatave të shoqërisë civile (OShC).
Trajnimi do të përqëndrohet në përdorimin e mjeteve strategjike si kornizat logjike, treguesit vjetorë dhe përfundimtarë, analiza e problemit, teoria e ndryshimit, monitorimi dhe vlerësimi, ciklet e menaxhimit të projektit, si dhe ngritja e fondeve. Përmes angazhimit gjatë prezantimit teorik dhe ushtrimeve praktike, pjesëmarrësit pritet të rrisin njohuritë për dizajnim të projekteve me ndikim, të qëndrueshme dhe të adaptueshme, në përputhje të ngushtë me misionin e organizatave të tyre dhe nevojat e komuniteteve që u shërbejnë.

Kur mbahet trajnimi?

Datat: 20 dhe 21 gusht 2024 në Prishtinë.

Çfarë do të mësoni në këtë trajnim?

Ky trajnim, ndër të tjera do të fokusohet në adresimin e çështjeve që lidhen me:

  • Teknikat për formulimin dhe organizimin e objektivave brenda një kornize logjike;
  • Teknikat për zbatimin e kornizave logjike në planifikimin dhe menaxhimin e projektit;
  • Përdorimin e pemës së problemit për analizë efektive të problemeve dhe krijimi i teorive gjithëpërfshirëse të ndryshimit;
  • Kuptimin e procesit sistematik për vendosjen e treguesve të matshëm vjetor dhe përfundimtar, në nivel projekti dhe programi, dhe lidhja e tyre me objektivat dhe misionin e organizatës;
  • Rëndësia e monitorimit dhe raportimit të treguesve;
  • Teoria e ndryshimit dhe cikli i menaxhimit të projektit.

Kush mund të aplikojë dhe cilat janë kriteret e aplikimit?

Të drejtë aplikimi kanë organizatat e shoqërisë civile, të cilat kanë interesim për të mësuar rreth ndikimit të vlerësimit dhe përdorimit të të dhënave për monitorim.

Secila OShC duhet të propozojë 1 anëtar/e për të marrë pjesë në trajnim bazuar në përgjegjësitë e tyre brenda organizatës.

Kriteret e aplikimit:

  • Të jetë Organizatë e Shoqërisë Civile (OShC), e regjistruar në Kosovë;
  • Veprimtaria e OShC-së të përfshijë edhe punën në nivel lokal;
  • Të kenë aktivitet në komunitet dhe/ose interesim për përfshirje të qytetarëve/eve në punën e organizatës.

Si të aplikoni?

Për të marrë pjesë në trajnim, ju ftojmë të regjistroheni përmes formës së aplikimit, të cilën mund ta gjeni duke klikuar në vegëzën në vijim: Formulari i aplikimit.

Ju lusim që formularin e aplikimit ta plotësoni më së largu deri me datën 15 gusht 2024, ora 13:00.

Për informata tjera, ju lutem kontaktoni ekipin tonë në adresën elektronike rc-kosovo@kcsfoundation.org ose përmes telefonit në numrin: 038 600 634.

Qendra e Burimeve për Shoqëri Civile në Kosovë, është projekt i cili bashkë-financohet nga Bashkimi Evropian dhe Suedia dhe zbatohet nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) dhe Community Building Mitrovica (CBM).