THIRRJA PËR NOMINIME PËR ÇMIMIN PËR DEMOKRACI 2025

Angazhimi për Veprim të Përbashkët (EJA Kosovë) është program i KCSF-së që mbështet nismat e shoqërisë civile përmes granteve dhe ngritjes së kapaciteteve me synimin e përgjithshëm për të dhënë kontribut domethënës në zhvillimin demokratik dhe socioekonomik të Kosovës. E themeluar si mekanizëm i financimit ku disa donatorë i bashkojnë fondet e tyre për përkrahjen e shoqërisë civile, EJA Kosovë aktualisht financohet bashkërisht nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Suedia.


Duke vënë në plan të parë angazhimin dhe pjesëmarrjen e qytetarëve në punën e shoqërisë civile, EJA Kosovë synon të kontribuojë drejt dy objektivave kryesorë (a) rritjes së angazhimit të qytetarëve në jetën publike përmes avokimit me pjesëmarrje të shoqërisë civile dhe (b) t’u mundësohet OSHC-ve që t’i forcojnë marrëdhëniet e tyre me qytetarët dhe t’i përmirësojnë kapacitetet organizative.

Çmimi për Demokraci


Përmes Çmimit për Demokraci që ndahet në baza vjetore, EJA Kosovë njeh kontributet e jashtëzakonshme për zhvillimin e demokracisë në Kosovë dhe promovon rastet dhe modelet që duhet ndjekur. Çmimi për Demokraci ka për qëllim të vlerësojë kontributet e individëve, nismave të paregjistruara dhe të organizatave joqeveritare në fusha të ndryshme, që janë rezultat i mobilizimit të komunitetit dhe angazhimit të qytetarëve e qytetareve, ideve të reja, guximit intelektual ose arritjeve të theksuara, dhe që kanë kontribuar në demokratizimin e shoqërisë kosovare përmes punës dhe përkushtimit të tyre. Nëpërmjet Çmimit për Demokraci, KCSF gjithashtu synon që nëpërmjet shembujve konkret të angazhimit qytetar shembullor të sjellë në vëmendjen e publikut dhe vendimmarrësve tema, çështje ose grupe qytetarësh të nën-përfaqësuara në jetën publike dhe vendim-marrjen institucionale.

Nominimet do të vlerësohen nga Ekipi për Vlerësimin e Granteve (EVG) sipas kritereve më poshtë:


– Dizajnimi dhe zbatimi i një nisme të suksesshme (qasje, aktivitet, projekt, etj.) në promovimin dhe zhvillimin e demokracisë në Kosovë, gjatë vitit 2025;
– Niveli i nën-përfaqësimit të temës, çështjes ose grupit të qytetarëve të trajtuara nga nisma;
– Ndikimi aktual ose i pritur i nismës, duke përfshirë potencialin për zgjerim/përsëritje dhe inovacionin;
– Guximi i organizatës, nismës së paregjistruar a individit shprehur përmes nismës përkatëse;
– Përfshirja e drejtpërdrejtë e qytetarëve në nismë ose kontributi i theksuar i pjesëmarrjes së qytetarëve në jetën publike dhe/ose politikëbërje.


Ju ftojmë të nominoni kandidatët tuaj për edicionin 2025 të Çmimit për Demokraci, deri më 28.02.2026, ora 23:59.


Për informata të hollësishme për kriteret e nominimit dhe për të shkarkuar formularin për nominim, vizitoni webfaqen e KCSF-së www.kcsfoundation.org ose na shkruani në eja@kcsfoundation.org