Tetë organizata përkrahen me afër 1 milion euro përmes grantit institucional të EJA Kosovë

KCSF ka përkrahur tetë organizata vendore të shoqërisë civile me Grant Institucional të programit EJA Kosovë. Përmes kësaj thirrje janë ndarë gjithsej rreth 960,000 euro për grante tre vjeçare në vlerë prej 40,000 euro në vit.

Kosovo Glocal (Kosovo 2.0), Instituti QIKA, Qendra Kosovare për Talent dhe Arsim (TOKA), Instituti GAP, Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), Center for Affirmative Social Actions (CASA), Fondacioni Shtatëmbëdhjetë (17) dhe Fondacioni Lumbardhi, janë organizatat që janë përkrahur përmes kësaj thirrje.

Thirrja për aplikime për Grant Institucional ishte shpallur në qershor 2024. Pas mbylljes së afatit të aplikimit ishin pranuar aplikacione nga 67 organizata të shoqërisë civile. Pas përfundimit të të gjitha fazave të kontrollit administrativ mbi përmbushjen e kritereve bazë të kualifikueshmërisë dhe dokumentacionit të plotë të dorëzuar, 59 prej tyre kishin vazhduar në fazën tjetër të vlerësimit.

Vlerësimi përmbajtjesor ishte bërë nga Ekipi për Vlerësimin e Granteve dhe kishte përfshirë vlerësimin e strategjive dhe dokumenteve tjera të organizatave aplikuese, vizitën në zyrë nga stafi i KCSF-së, si dhe intervistat publike për organizatat e listës së ngushtë. Lista e 8 organizatave të vlerësuara me më së shumti pikë nga Ekipi për Vlerësim të Granteve, përfshirë sigurimin e kuotës gjeografike ku të paktën 30% të përfituesëve janë organizata nga jashtë Prishtinës, është rekomanduar për financim.

Grantet institucionale kanë për qëllim mbështetjen e zbatimit të strategjive organizative duke forcuar njëkohësisht kapacitetet e brendshme, duke u mundësuar organizatave t’i përfaqësojnë interesat e qytetarëve në fushat e tyre tematike përkatëse, si dhe duke qenë të gatshme që të reagojnë në kohë ndaj nevojave në ndryshim e sipër në këto fusha.

Thirrja e radhës për Grante Institucionale e programit EJA Kosovë pritet të shpallet në fillim të vitit 2025.