Takimi i gjashtë i Forumit joformal të Filantropisë u përqendrua në adresimin e sfidave të organizatave të shoqërisë civile (OShC) në Kosovë për qasje në shërbime financiare.
Pikat kryesore të takimit:
Për herë të parë: OShC-të dhe Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, së bashku me sektorin bankar dhe institucione tjera publike u ulën së bashku për të diskutuar për sfidat dhe mundësitë e krijimit të një ambienti mundësues për qasje të OShC-ve në shërbime financiare.
Sfidat e OShC-ve: Taulant Hoxha, Drejtori Ekzekutiv i KCSF theksoi zhvillimin gradual por pozitiv të raporteve në mes të OShC-ve, Bankës Qendrore të Kosovës, Njësisë të Intelegjencës Financiare të Kosovës, dhe sektorit bankar ndër vite, si dhe sfidat aktuale që OShC-të i hasin në raport me qasjen në shërbime financiare, duke filluar me keqkuptimin që mbizotëron në sektorin bankar për OShC-të, vështirësitë për hapje dhe përditësim të të dhënave në llogari bankare, koston e lartë mujore për mirëmbajtje të llogarive bankare, dhe mundësitë e kufizuara për shërbime të tjera financiare që do të mundësonin zhvillim të sektorit jo-qeveritar.
Angazhimi i Bankës Qendrore: Guvernatori Ahmet Ismaili theksoi angazhimin e Bankës Qendrore të Kosovës për përfshirje financiare, si dhe prezantoi planet që BQK ka për reformën rregullatore për të mbështetur përfshirjen financiare në përgjithësi, duke përfshirë edhe adresimin e kërkesave të OShC-ve.
Korniza Ligjore: Diskutimet u përqendruan në Projektligjin për Parandalim të Shpëlarjes së Parasë dhe Financim të Terrorizmit, Projektligjin për Shërbimet e Pagesave, Projektligjin për Bankat, të cilat nga diskutimet e mëparshme të Forumit janë identifikuar si pika kyçe për krijim të një ambienti mundësues për zhvillim të filantropisë në Kosovë dhe mundësi për OShC për diversifikim të burimeve të financimit përmes mbledhjes së fondeve nga kampanjat e dhurimit, dhurimet online/përmes web faqes etj.
Përkrahja nga USAID: Noel Bauer, Drejtor për Demokratizim dhe Qeverisje nga misioni i USAID në Kosovë theksoi përkushtimin e USAID-it për të fuqizuar shoqërinë civile dhe për të mbështetur filantropinë si një faktor kyç në zhvillim të qëndrueshëm të OShC-ve dhe ndikim pozitiv në komunitet.
Takimi përfundoi me një përkushtim të përbashkët të BQK-së, OShC-ve, sektorit bankar dhe institucioneve tjera publike për vazhdim të bashkëpunimit ndërsektorial, dhe krijim të mundësive për qasje të OShC-ve në shërbime financiare që mundësojnë zhvillimin e qëndrushëm.
Forumi joformal i Filantropisë, i themeluar në kuadër të Programit për Angazhim Qytetar, ka për qëllim të nxisë dialogun dhe bashkëpunimin ndërmjet palëve të interesit për të formuar një mjedis mbështetës për filantropinë në Kosovë.