Në fillim të vitit, Këshilli Ekonomik dhe Social i Bashkimit Europian, si institucion përgjegjës i BE-së për përfshirjen e partnerëve social nga sektori i punëdhënësve, punëmarrësve dhe shoqërisë civile, lansoi pilot projektin e përfshirjes në punën e Këshillit të përfaqësuesëve të këtyre sektorëve nga vendet e zgjerimit të cilat ende nuk janë shtete anëtare të BE-së.
Përfshirja në punën e këtij Këshilli e përfaqësueseve të vendeve që synojnë të anëtarësohen në BE paraqet një model të shkëlqyeshëm të integrimit gradual të sektorëve të ndryshëm të shoqërisë edhe para se të bëhen anëtarë zyrtarë të BE-së.
Megjithatë, Këshilli Ekonomik dhe Social vendosi që të përdorë kornizën e vendeve me status të vendit kandidat si kriter bazë për kualifikueshmërinë e përfshirjes në këtë nismë, duke bërë kështu që Kosova të mbetet vendi i vetëm me perspektivë të anëtarësimit në BE që nuk përfshihet në këtë nismë.
Duke e konsideruar këtë kornizë dhe vendim të Këshillit Ekonomik dhe Social si të gabuar dhe në kundërshtim me vet vlerat dhe parimet që promovohen nga ky institucion i BE-së, Rrjeti Ballkanik për Zhvillim të Shoqërisë Civile (BCSDN) ku KCSF është anëtare, në prill të këtij viti i’u drejtua këtij institucioni me një letër ku kërkon rishqyrtimin e vendimit dhe përfshirjen e menjëhershme të Kosovës në këtë nismë. Letra e BCSDN-së mund të shkarkohet në vegzën më poshtë.
Kjo kërkesë do të përsëritet edhe në Konferencën e Nivelit të Lartë për shoqërinë civile që do të organizohet më 24 maj 2024 në Lubjanë nga Këshilli Ekonomik dhe Social i BE-së, e cila do të fokusohet pikërisht në temën e përfitimeve për Ballkanin Perëndimor para anëtarësimit formal në BE.