Dhjetëra vullnetarë, të rinj dhe të reja, u janë bashkuar kauzave të ndryshme në baza vullnetare, në kuadër të projekteve të Qendrës së Burimeve të Shoqërisë Civile në Kosovë, që lidhen drejtpërdrejt me promovimin dhe nxitjen e vullnetarizmit në Kosovë.
Sot teksa shënojmë Ditën Ndërkombëtare të Vullnetarizmit, theksojmë çështjet e trajtuara përmes projekteve përgjatë këtij viti:
•OJQ Rrënjët e Aktivizmit, përmes projektit ‘’Ndërto karrierën tënde përmes vullnetarizmit’’, ka informuar mbi 350 të rinj rreth punës vullnetare dhe mundësive të cilat i ngrisin në karrierë duke ndihmuar komunitetin e gjithashtu kanë marrë pjesë ne aktivitete të ndryshme vullnetare, diskutime dhe debate.
•OJQ PIKA përmes projektit ‘’Ruaje ambientin, ruaje ardhmërinë’’, ka angazhuar mbi 235 aktivistë vullnetarë, nxënës të shkollave fillore të rajonit të Prizrenit, në aktivitete të ndryshme të pastrimit të ambientit dhe vendosjes së tabelave informuese mbi rëndësinë e mbrojtjes së hapësirave të përbashkëta.
•Individi Granit Sadiku, me projektin ‘’ Programi i rinisë aktive në fshatin Balaj – Rri’ON’’, ka përfshirë mbi 40 të rinj në aktivitete që kanë pasur për qëllim të zhvilluarit e mendimit kritik, shkathtësitë sociale, zgjidhjen e problemeve dhe vendimmarrjen, duke e vlerësuar vullnetarizmin si kontribuues në mirëqenien e shoqërisë. Këta 40 të rinj janë aftësuar të jenë avokues të komunitetit, kanë zhvilluar aftësi të lidershipit dhe qytetarisë aktive, dhe po ashtu kanë arritur të njohin më mirë punën grupore duke u bërë kështu agjentë të ndryshimit në komunitet.
• OJQ Auto Moto Touring Klubi Kombëtar, me projektin “Vullnetarët në fushën e sigurisë në komunikacionin rrugor dhe në autosport”, ka trajnuar mbi 40 vullnetarë të rinj mbi rëndësinë e sigurisë në komunikacionin rrugor, duke i përfshirë gjithashtu në aktivitete praktike dhe mësimore. Gjithashtu përmes fletushkave informuese të thjeshtësuara mbi parandalimin e rrezikut në komunikacion, këta vullnetarë kanë informuar mbi 500 fëmijë të shkollave fillore, ndërsa pritet që deri në përfundim të projektit të informohen deri në 1000 fëmijë të shkollave fillore.
•Përmes projektit individual ‘’Kulm për putra’’ Vesna Generalovi?, ka angazhuar mbi 20 vullnetarë të cilët kanë ndërtuar 25 shtëpiza ekologjike për qentë endacakë në veri të Mitrovicës. Gjithashtu, mbi 30 persona janë informuar mbi rëndësinë e Pronësisë së përgjegjshme dhe metodat për kontrollin e numrit të kafshëve të braktisura.
•OJQ MONUMENTA, me projektin ‘’Potenciali turistik i Korishës’’, përmes angazhimit të ekspertëve dhe vullnetarëve kanë arritur të identifikojnë 10 pika me vlera të trashëgimisë kulturore dhe natyrore në zonën e Kabashit. Është realizuar publikimi “Ecje nëpër Kabash”, i cili përfshin rrëfimin për secilën pikë me interes të veçantë me vlera të trashëgimisë kulturore dhe natyrore në zonën e Kabashit. Gjithashtu, është identifikuar shtegu i ecjes dhe është shenjëzuar me GPS, me tabela dhe ngjyrosje.
•OJQ LENA, përmes projektit ‘’Të Bashkuar nga Shkenca, Teknologjia, Inxhinieria, Arti dhe Matematika” – “United By STEAM”, ka angazhuar rreth 40 vullnetarë të cilët kanë ndihmuar krijimin e 12 klubeve shkencore, në disa shkolla të mesme në Rajonin e Prishtinës. Këto klube shkencore janë përbërë nga nxënësit e këtyre shkollave të cilët janë informuar dhe edukuar mbi rëndësinë e shkencës e gjithashtu janë bërë pjesë e ndryshimit në komunitet.
•OJQ HRN, me projektin ‘’Promovimi dhe nxitja e vullnetarizmit të të rinjve serbe në komunën e Mitrovicës‘’ përmes aktiviteteve mediatike dhe rrjeteve sociale janë duke sensibilizuar dhe ngritur vetëdijen e të rinjve për rëndësinë e vullnetarizmit. Ekspertët mediatikë kanë trajnuar rreth 30 vullnetarë mbi procesin e krijimit të materialit mediatik dhe transmetimit të tij, mbi temën e vullnetaritmit në rajonin e Mitrovicës.
Këto projekte u zhvilluan me bashkë-financim të Bashkimit Europian dhe Suedisë dhe përkrahen përmes Qendrës së Burimeve për Shoqëri Civile në Kosovë që zbatohet nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) dhe Community Building Mitrovica (CBM).