GRANTET INSTITUCIONALE

EJA Kosovë beson se përveç adresimit të çështjeve specifike me rëndësi për grupe të posaçme të qytetarëve, shoqëria civile mund të kontribuojë në procese sistemike. Kontributi i tillë kërkon avokim të vazhdueshëm, njohuri të thella mbi çështjet dhe sisteme e praktika të brendshme të zhvilluara. Këto parakushte pengohen nëse organizatat veprojnë me fonde afatshkurta ose u kërkohet të zbatojnë aktivitete të caktuara të projektit, pavarësisht nga ndryshimi i kontekstit dhe nevojave. Për ta ruajtur stafin profesional, organizatat me staf shumë të kualifikuar e me përvojë solide janë të detyruara që vazhdimisht të kërkojnë mundësi financimi dhe shumë herë të zbatojnë projekte të vogla e të shpërndara , në vend se të përqendrohen në strategjitë e tyre afatgjata. Kjo ndikon në potencialin e tyre për ndryshim dhe rrezikon qëndrueshmërinë e intervenimeve të shoqërisë civile. Duke u bazuar në përvojën e suksesshme paraprake të KCSF-së, EJA Kosovë beson se duke siguruar mbështetje afatgjate dhe fleksibile financiare, organizatat që kanë treguar konsistencë si agjentë të ndryshimit në fushën e tyre të ekspertizës do t’i mbështesin intervenimett dhe do t’i avancojnë më tej misionet e tyre. Grantet institucionale synojnë ta mbështesin zbatimin e strategjive të organizatave dhe, përveç forcimit të kapaciteteve të brendshme organizative, të bëhen zëri i qytetarëve në fushat tematike që i mbulojnë. Grantet institucionale janë të destinuara për organizatat që janë të konsoliduara, që kanë strategji të punës të definuar mirë dhe aftësi të dëshmuara organizative. Përfituesit e granteve institucionale pritet të jenë të gatshëm dhe të veprojnë menjëherë në politika të interesit publik që shtrihen në fushën e tyre të ekspertizës. Ata do ta kenë fleksibilitetin e nevojshëm për t’u përshtatur me zhvillimet e jashtme kontekstuale e programatike që paraqiten dhe për t’u mobilizuar për të vepruar shpejt kur është e nevojshme. Përveç kësaj, grantet institucionale u mundësojnë organizatave që ta adresojnë në mënyrë të vazhdueshme e sistematike, përfshirjen e qytetarëve në punën e tyre dhe t’i përmirësojnë praktikat e qeverisjes së brendshme. Grantet institucionale bazohen në strategji dhe plane pune organizative shumëvjeçare, e jo në projekte dhe/ose aktivitete specifike.