Qëndrueshmëria financiare e OShC-ve është një ndër sfidat kryesore me të cilat ballafaqohet shoqëria civile në Kosovë, ku përkrahja më e madhe financiare për OShC vjen nga donatorët e huaj dhe fondet publike. Përkrahja si e tillë, e varur kryesisht nga dy burime të vetme të financimit, rrezikon qëndrueshmërinë e shoqërisë civile. Andaj, është e domosdoshme që të hulumtohen edhe mundësitë tjera të financimit dhe diversifikimit të burimeve përfshi forma të tjera të përkrahjes jo-financiare.
Llojllojshmëria e burimeve financiare dhe jo-financiare nënkupton identifikimin dhe mobilizimin e mbështetjes alternative financiare, si dhe kontributin përmes mbështetjes vullnetare nga qytetarët, sektori privat, ekspertët në Kosovë dhe diaspora. Kjo do të mundësonte që OShC-të jenë më të suksesshme në zbatimin e misionit të vet, të fuqizojnë lidhjen me konstituencën, si dhe të rrisin llogaridhënien dhe transparencën në raport me qytetarët.
Për këtë qëllim, KCSF dhe Catalyst Balkans, përmes trajnerëve dhe mentorëve profesionistë të trajnuar në kuadër të CEAs do të ofrojë aktivitete të ndryshme të ngritjes së kapaciteteve. Trajnimi bazik për diversifikim dhe ngritje të fondeve do të ofrojë informata kryesore mbi modelet e ndryshme të ngritjes së fondeve dhe do të jetë niveli i parë i ciklit të trajnimeve në qëndrueshmërinë financiare të OShC-ve. Si i tillë do të jetë obligativ në vazhdimin e ndjekjes së niveleve të tjera të trajnimeve. Trajnimi i avancuar do të trajtojë më thellësisht hartëzimin e burimeve nga komuniteti dhe punën konkrete në kornizën e mbledhjes së fondeve. Mentorimi i drejtpërdrejtë si dhe Akademia për Crowdfunding do të përkrahë pjesëmarrësit e suksesshëm të këtyre trajnimeve në hartim të planeve e strategjive për diversifikim dhe ngritje të fondeve, si dhe/apo organizim të kampanjave të ndryshme për mbledhje të fondeve.